Opinion

Namir Lapardhaja: Nga Demeti te Këlliçi, pse konsumohet kaq shumë konflikt dhe urrejtje brenda PD-së?

19 Gusht, 17:47| Përditesimi: 19 Gusht, 18:07

  • Share

Ditëve të fundit u sollën në vëmendje videot e diskutimeve të "mocionistëve" dhe përballja e tyre me gjuhën linçuese, me urrejtjen patologjike dhe sharrjet e militantëve të orkestruar nga Sali Berisha. Është viti 1992.

Krahasuar me sot, edhe pse kanë kaluar 33 vite, duket sikur nuk ka ndryshuar asgjë. Është e njëjta gjuhë linçuese, është e njëjta filozofi asgjësuese, është i njëjti burim që frymëzon turmën e verbër drejt urrejtjes dhe linçimit. Është Berisha 33 vite më i ri, i cili nuk ka ndryshuar edhe sot, në përmbyllje të dekadës së tetë të jetës.

Ajo që më bëri pështypje në videon e linçimit ndaj Arben Demetit, janë dy personazhet në krahë të Berishës. I pari është Tomorr Dosti, ish-i burgosur, ish-i persekutuar dhe djalë i një personaliteti të madh, Hasan Dostit. Është në krahë të Berishës kur linçohen dhe përbuzen njerëzit, për shkak të mendimeve dhe të qëndrimeve. Nga njeriu që pritjej më shumë se të tjerët të ishte në anën e atyre që mendonin ndryshe. I dyti është Eduart Selami, i ardhur nga bota akademike. Buzëqeshja e tij e ngrirë flet më shumë se fjalët e tij. Të dy e kanë futur në mes, janë më të lumtur se kurrë, i mbajnë anën dhe i ngrohin shpatullat.

Është viti '92. Historia e PD-së mund të kishte ndryshuar nëse e keqja brenda radhëve të saj nuk do ishte lënë të rritej dhe të zinte vend. Ironia e fatit e donte që dita e tyre të mos ishte shumë e largët për t'u përsëritur e njëjta skenë si ajo ndaj Demetit, Pashkos, Zogajt, Imamit, Cekës etj. Eduart Selami do të shpallet armik dhe dëbohet nga PD në prillin e vitit 1995, kurse Tomorr Dosti dëbohet, shahet, linçohet dhe akuzohet për spiun, në nëntorin e '96-ës.

Është mentaliteti i frymëzuar nga një bajraktar malesh, i cili e ka konceptuar dhe vijon ta konceptojë politikën sipas kanunit të maleve, ku meritokracia e vetme është bindja e verbër ndaj tij dhe mënyra e vetme për të qëndruar gjatë në politikë është debilizimi për të pranuar gjithçka, edhe kur është kundër çdolloj logjike.

PD në këto tri dekada ka vuajtur dhe vijon të vuajë nga verbëria e turmës, nga miopia e drejtuesve dhe deputetëve të saj dhe nga mospasja guxim e të thënit të të vërtetave në kohën e duhur. Dëbim pas dëbimi dhe linçim pas linçimi. Është fatkeqësi e madhe që sot ka ende të verbër që shajnë për llogari të Berishës, linçojnë për llogari të tij, kërcënojnë apo janë verbuar nga retorika e tij e gënjeshtërt. Është një film i përsëritur me qindra herë. Pas Dostit dhe Selamit, iu erdhi radha dhe shumë të tjerëve në atë podium, madje, pa ekzagjerim, të gjithëve.

Njëjtë po vijon edhe sot. Shih sulmet e orkestruara ndaj Belind Këlliçit, i cili ishte një ndër më të zellshmit në fillimin e përplasjes së brendshme brenda PD në ‘luftën’ e tij kundër Bashës. Pasi e përdorën dhe i krijuan idenë se do të ishte i rëndësishëm në atë parti,  sot e sheh veten të sulmuar dhe linçuar, sigurisht jo pa ‘bekimin’, qoftë edhe të heshtur, të Berishës.

Kur sheh çka ngjarë dikur dhe si vijon historia sot, pyet se si ka mundësi që një parti që presupozohej të ishte e djathtë të konsumojë kaq shumë gjuhë konfliktuale dhe urrejtjeje saqë të duket sikur historia ka ngelur në vend, duke mos marrë asnjë mësim nga e kaluara. Ajo vijon të përsërisë vetveten si një komedi e pafundme. /TemA/

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?