Sali Berisha

Namir Lapardhaja: Pasi e shkatërruan PD me justifikimin ‘Basha shiti zgjedhjet’, tani po bëjnë gati humbjen me motivin ‘Rama do na vjedh zgjedhjet’

5 Shtator, 12:35| Përditesimi: 5 Shtator, 12:36

  • Share

Situata ku e ka futur Sali Berisha atë që ka ngelur nga Partia Demokratike i ka tejkaluar nuancat tragjike dhe përditë e më shumë po shpërfaqet për njerëzit në formën e një shfaqje komike. Emërimi i drejtuesve politik të qarqeve, jo vetëm që tregoi se ky njeri është i pandryshueshëm në qasjen që ka për politikën dhe njerëzit që duhet të bëjnë karrierë në të, por për të kuptuar se sa seriozisht e ka fitoren mjafton të shohësh se kujt i ka besuar drejtimin e fushatës së Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë.

Kryeqytetin ia ka besuar dikujt që në zgjedhjet e fundit e ka humbur garën me minus 65 mijë vota, një rezultat i paparë ndonjëherë në historinë e PD-së, ndërsa të gjithë vendin ia ka besuar dy njerëzve që për nga niveli intelektual dhe i të arsyetuarit politik janë nën mesataren e shqiptarit të rëndomtë. Është e qartë se ka vetëm një arsye për këto përzgjedhje: besnikëria ndaj shefit dhe miopia për të mos menduar me mendjen e tyre.

Lista që shfaqi Berisha dhe fjala e tij përpara kryesisë, më së shumti i ngjante një gare që dihet rezultati, por “rëndësi ka pjesëmarrja”. Në atë mishmash pa kurrfarë risie janë bërë bashkë njerëz që nuk e shohin dot me sy njëri-tjetrin, pa kurrfarë kohezioni mes tyre; figura që ikën te Berisha për shkak të disa të tjerëve që ishin te Basha, ndërsa tani po shohin se ata prej të cilëve kishin ik, kanë ardhur dhe u janë ulur në qoshe, ndërsa atyre e gjithë lëpirja dhe baltëhedhja e paskrupull, u ka shkuar dëm.

Më shumë se sa një fjalë motivuese, ajo ishte një kapitullim pa kushte dhe një parapërgatitje se si do të rrëfehet humbja e zgjedhjeve të vitit 2025. E vetmja ‘qartësi’ e Berishës ishte refreni se Rama do të na vjedh zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që të gjithë ‘betejën’ e tij përgjatë kësaj periudhe, duke filluar nga “Foltorja” dhe me radhë në retorikën e tij mbizotëruese ka qenë se “Basha i ka shitur zgjedhjet”.

Nëse Edi Rama i vjedh zgjedhjet, ashtu siç ka bërë përherë, atëherë e gjithë ‘beteja’ dhe ‘lufta’ për të shkatërruar PD-në dhe për të larguar Bashën, rezulton e kotë dhe e gënjeshtërt, sepse problemi nuk paska qenë ai, por nevoja e Berishës për të mbajtur një konflikt gjallë brenda Partisë Demokratike, në mënyrë që ajo të bëhej një mburojë në betejën e tij me SHBA-të dhe me drejtësinë.

Në politikë dhe kudo, koha është gjykatësi më i madh, ndaj pas një ploje shkatërruese për PD-në, frymën opozitare, nevojën për ndryshim dhe për rotacion cilësor dhe jo riciklim, është radha që Berisha dhe të tijët të korrin ato që vetë kanë mbjellë, duke u përballur mbi shpinë me lumin e akuzave të cilat i kanë bërë për të tjerët.

Të mos thonë që Rama na vodhi zgjedhjet, por të na tregojnë se si dhe se pse i shitën ato, duke i lënë demokratët rrugëve!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?