Tre emrat jo politik që u përfolën si të mundshëm për t’u angazhuar në garën politike të kryeqytetit, për herë të parë ngjallën një reagim të dyfishtë: nga njëra anë, u pritën me entuziazëm dhe simpati tek shoqëria civile, tek ata qytetarë që nuk janë pjesë e partive dhe, nga ana tjetër, po përballen me një armiqësi të pajustifikuar brenda strukturave të ngurta të Partisë Demokratike.
Në vend që të shihen si një mundësi për hapje, rigjallërim dhe rifreskim të opozitës, ata po portretizohen nga ‘mendjemykurit’ si “agjentë të Sorosit” ose si figura që nuk përmbushin standardet e partisë.
Pra, në vend që të shërbenin si një moment reflektimi, kjo situate brenda opozitës dhe Partisë Demokratike është shndërruar në një shfaqje pasigurie dhe frike.
Kjo sjellje nuk bën gjë tjetër vetëm se tregon gjendjen e rëndë të një partie, që nuk e paska problemin vetëm te lidershipi, por edhe tek ata që e ndjekin me lugën në brezë dhe gavetën në qafë për ndonjë tas grosh.
Për vite me radhë Partia Demokratike nën drejtimin e Berishës ka ndërtuar një ligjërim me armiq imagjinarë, të brendshëm dhe të jashtëm, duke harxhuar shumë energji dhe shumë kohë, saqë një gjë e tillë është bërë pjesë e identitetit të saj politik, dhe në kohën kur kjo parti do të duhej të hapej dhe të shihte përtej oborrit të vet, ringjallet institkti i ruajtjes së gjendjes së pandryshuar, sepse po erdhën nga jashtë do na marrin partinë dhe meritat. Sipas kësaj mendësie, më mirë në opozitë dhe të jemi ne, se sa të vijë dikush nga jashtë, të fitojë dhe të na rezikojë ekzistencën tonë.
Në kushtet ku ndodhet PD nën drejtimin e Berishës, emrat që janë propozuar më tepër do t’i bënin nder Partisë Demokratike dhe opozitës dhe jo e kundërta.
Mirëpo, nëse PD nuk arrin ta kuptojë se në gjendjen ku ndodhet vetëm se do vijojë të thellojë humbjet dhe humnerën e vet, asnjë emër me profil dhe kontribut publik nuk duhet ta ‘ndihmojë’ të dalë nga gjana ku është zhytur dhe nga balta që vetë ka gatuar.
Komente
