Gjykata e Apelit, Tiranë

Opinion

Namir Lapardhaja: Pse bëjmë pis gjithçka?

7 Tetor, 15:37| Përditesimi: 7 Tetor, 17:27

  • Share

Si shoqëri kemi një prirje të përbashkët, që ka të bëjë me të bërit pis gjithçka. Nuk ka më kufij mes së mirës dhe së keqes, mes të ndershmit dhe të korruptuarit, mes profesionistit dhe mediokrit, sepse kemi arritur në pikën ku nuk besojmë askënd.

Kemi bërë pis politikanin, sepse nuk dallojmë më njeriun që përpiqet të ndryshojë diçka nga ai që grabit gjithçka. Kemi bërë pis mësuesin, duke e përfshirë në baltën e paaftësisë; edhe atë që përgatit brezat me pasion dhe përkushtim, edhe atë që e ka emëruar partia dhe dredh zinxhirin kot. Kemi bërë pis mjekun, sepse në sytë tanë nuk ka më asnjë që shëron nga misioni, por vetëm ata që “rrjepin” pacientët. Kemi bërë pis prokurorin dhe gjykatësin, duke i quajtur të gjithë të shitur, pa bërë asnjë dallim midis atyre që guxojnë të përballen me krimin dhe atyre që dorëzohen para tij. Kemi bërë pis edhe policin, duke e parë si armik, jo si mbrojtës të rendit, sepse kemi plot shembuj që na ndikojnë për një perceptim të tillë.

E gjitha kjo ndodh jo sepse jemi popull që s’kupton, por sepse jemi një shoqëri që nuk ka guxim të përballet me veten. Siç është thënë se “kur sheh gjatë në humnerë, humnera fillon të të shohë ty”, kemi parë aq gjatë në baltë dhe llum saqë gjithçka na shfaqet si e tillë.

Por kemi humbur edhe ndjesinë e përgjegjësisë kolektive, sepse, në vend që të kërkojmë ndryshim me votë, me bojkot apo me reagim qytetar, zgjedhim të shpërthejmë vetëm me komente urrejtjeje, me sharje apo me përçmim në rrjetet sociale. Bëjmë rolin e gjykatësit moral nëpër tavolina kafeneje, por heshtim përballë padrejtësive reale që i shohim përditë. Linçojmë, por nuk ngremë zërin kur duhet. Urrejmë, por nuk ndryshojmë.

Në këtë klimë, ku gjithçka shihet me dyshim e përçmim, edhe e mira humbet kuptimin.

Sepse kur i bën pis të gjithë, nuk mbetet më askush që të bëjë dallimin. Kështu, ne nuk pastrojmë asgjë, veçse ndotim gjithçka.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?