E gjithë retorika e ngritur e Berishës dhe e mbështetësve të tij në lidhje me ‘non gratën’ ka qenë dhe vijon të jetë se ajo ishte rezultat i një lobimi të Edi Ramës dhe Soros-it pranë administratës demokrate, gjë që me ndryshimin e pushtetit në SHBA dhe me ardhjen e republikanëve në drejtimin e vendit do të rishihej, do të hiqej dhe autorët e këtij ‘komploti’ do të ndëshkoheshin.
Ndërkohë që administrata e re amerikane po futet në vitin e parë qeverisës, jo vetëm që asgjë nuk ka ndryshuar, por raportet e fundit të DASH vetëm se e kanë konfirmuar një gjë të tillë. Jo vetëm ndaj Berishës, por ndaj çdo elementi që etiketohet nga politika amerikane si rrezik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Edhe pse në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit konfirmohet shpallja e Berishës ‘non grata’, përgëzohet dhe evidentohet pozitivisht puna e SPAK-ut në këtë drejtim, duket se e gjitha kjo kalon në heshtje, gjithçka që është thënë më parë në këtë drejtim bëhet sikur harrohet dhe të gjithë bëjnë sikur s’e shohin një gjë të tillë.
Përtej përpjekjes për të krijuar një realitet artificial dhe të gënjeshtërt përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, ku u tha se ‘non grata’ ka rënë, se Berisha mund të udhëtojë drejt SHBA-ve dhe se ka një rishikim të figurës së tij në Washington, tashmë, është e qartë dhe e konfirmuar zyrtarisht se e gjitha ishte një gënjeshtër e madhe, se asgjë nuk ka ndryshuar dhe se DASH dhe Sekretari i Shtetit Rubio vetëm se kanë konfirmuar administratën e mëparshme dhe ish-sekretarin e shtetit Blinken në raport me dizenjimin ‘non grata’ të kreut të PD-së.
Gënjeshtra e madhe e krijuar përpara zgjedhje të 11 Majit ka nevojë për një kërkim ndjese, ndërsa ky rikonfirmim i Berishës ‘non grata’ do duhej të ngjallte një diskutim të brendshëm në Partinë Demokratike.
Kjo do ishte situata për një parti normale me njerëz që duan më shumë vendin dhe interesin e përgjithshëm se sa karrigen dhe interesin vetjak, kështu që për sa kohë që të kemi këtë situatë, në PD do të flitet për gjithçka, vetëm për rikonfirmimin e Berishës ‘non grata’ nuk do të flasë askush dhe të gjithë do të bëjnë sikur nuk e shohin një diçka të tillë.
Madje, as ata ish-deputetë apo figura të tjera që duket se janë të pakënaqur me situatën dhe shfryjnë lart e poshtë nëpër rrjetet sociale pakënaqësitë e tyre, nuk flasin për rikonfirmimin e Berishës nga DASH si i dizenjuar ‘non grata’.
Ngjashëm si në komunizëm, që mund të kritikoje deri tek anëtarët e Byrosë Politike, por askush nuk mund të shkonte tek Enveri. Pra, të gjithë ‘guxojnë’ dhe merren me Mulin, Gazin dhe poshtë, por askush nuk ka guximin të flasë për ‘non gratën’ e Berishës dhe pamundësinë e ardhjes në pushtet me këtë peshë mbi supe. /TemA/
Komente
