Nancy Pelosi heq dorë nga posti drejtues, kjo dhe të tjera risi në Kongresin e ri Amerikan

18 Nëntor 2022, 17:04| Përditesimi: 18 Nëntor 2022, 17:08

  • Share

Republikanët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve këtë javë dhe Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi njoftoi se nuk do të kërkojë një pozicion drejtues në pakicën e re demokrate – dy nga shumë ndryshimet që do të vijnë në Kongresin e ri në janar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, njofton. Ndryshime të mëdha përpara në Kongresin amerikan... ndërsa ligjvënësit e rinj prezantohen me Kapitolin. Për herë të parë në katër vjet, demokratët nuk kanë më shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

"Me besim të madh në grupin tonë parlamentar, unë nuk do të kërkoj rizgjedhje në udhëheqjen demokrate në Kongresin e ardhshëm".

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, do të tërhiqet në mënyrë që demokratët e rinj të kenë radhën e tyre në krye të pakicës. Ligjvënësi Kevin McCarthy është kandidati republikan për t'u bërë kryetari i ri.

“Jam krenar të njoftoj se epoka e sundimit njëpartiak demokrat në Uashington ka përfunduar. Uashingtoni tani ka një kontroll dhe ekuilibër”.

Por zoti McCarthy do ta ketë të vështirë të bashkojë anëtarët e tij për legjislacioneve të rëndësishme pasi ai përballet me kundërshtime të konsiderueshme nga krahu i partisë ende besnik ndaj ish-presidentit Donald Trump.

“Ata duhet të kuptojnë si të arrijnë konsensus brenda grupit të tyre para se të kërkojnë bashkëpunim me demokratët. Pra, mendoj se do të jetë një kohë sfiduese për një shumicë shumë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve”, thotë Amy Dacey në universitetin Amerikan.

Anëtarët e rinj të Kongresit thonë se shumica e ngushtë duhet t'i detyrojë të dy partitë të punojnë së bashku për legjislacionin dypartiak.

"Njerëzit janë të lodhur nga ekstremistët në të majtën dhe në të djathtën ekstreme. Ata duan që njerëzit të jenë të gatshëm të punojnë në dyja anët për të bërë atë që është e drejtë", thotë ligjvënësi i zgjedhur demokrat Wiley Nickel.

"Ka shumë fusha bashkëpunimi ekziston vullneti për t’u ulur së bashku dhe për të punuar drjt këtij qëllimi", thotë ligjvënësi i zgjedhur republikan Michael Lawler.

Dhe çdo legjislacion do të duhet të miratohet në një Senat me shumicë demokrate, nën udhëheqjen e vazhdueshme të Chuck Schumer.

“Kam një lutje për republikanët dhe një këshillë – nëse përqafoni MAGA-n, do të vazhdoni të humbisni. Ju do të humbisni më shumë. Përqafimi i MAGA-s në 2018, 2020 dhe '22 nuk funksionoi. Ju mirëpresim të punoni me ne mbi baza dypartiake”.

Megjithëse u sfidua, Mitch McConnell mbajti pozicionin drejtues të Senatit mes republikanëve, ndërsa pranoi dështimet e tyre me votuesit në këto zgjedhje.

“Përshtypja e tyre për shumë njerëz në role drejtuese në partinë tonë është se ata janë të përfshirë në kaos, negativitet, sulme të tepruara. Dhe kjo i frikësoi votuesit e pavarur dhe të moderuar republikanë”, tha senatori Mitch McConnell.

Por me një qeveri të ndarë për dy vitet e ardhshme, shanset që presidenti Joe Biden të miratojë ndonjë legjislacion të rëndësishëm janë shumë të pakta.

Marrë nga VOA

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?