E Ngarkuara me Punë e SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn ka vizituar luftëanijen amerikan Mount Whitney që është ankoruar në Porto Roman të Durrësit.
Në një fjalim të mbajtur, diplomatja amerikane është shprehur se Shqipëria është një asset jetik për NATO për shkak të vendndodhjes strategjike.
Ankorimi i anijes amerikane në Porto Romano, sipas Nancy VanHorn, është tregues i qartë i modernizimit ushtarak të Shqipërisë.
Sipas të Ngarkuarës me Punë të SHBA në vendin tonë, duke u përforcuar Porto Romano përmes rrugëve e hekurudhave, Shqipëria do të bëhet një segment i rëndësishëm për një operacion të mundshëm të ardhshëm të krahut lindor të NATO-s.
“Anija e SHBA “Mount Whitney” – Anija e Komandës së Flotës së 6-të – që ankorohet këtu në Porto Romano simbolizon fazën tjetër të modernizimit ushtarak të Shqipërisë.
Shtetet e Bashkuara mirëpresin plotësisht dhe nxisin zhvillimin e një baze detare nga Shqipëria me kapacitet portual mallrash në ujëra të thella pikërisht këtu në Porto Romano. Investimi i Shqipërisë në përforcimin e Porto Romanos do t’i tregojë rajonit – dhe të gjithë Europës – aftësinë e Shqipërisë për të qenë një drejtuese e vërtetë në Aleancën e NATO-s.
Tashmë, Shqipëria është një aset jetik për NATO-n për shkak të vendndodhjes së saj strategjike. Por, duke përforcuar Porto Romanon dhe duke e lidhur atë me rrugë dhe hekurudha, Shqipëria do të bëhet një rrugë thelbësore për një operacion të mundshëm të ardhshëm në Krahun Lindor të NATO-s”, është shprehur VanHorn.
Jo vetëm kaq, por përforcimi i Porto Romanos do të ndihmojë edhe në ekonominë e Shqipërisë, duke mundësuar hapjen e vendeve të reja të punës.
Anija luftarake amerikane ‘USS Mount Whitney' mbërriti në Porto Romano një ditë më parë.
Fjala e plotë e të Ngarkuarës me Punë të SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn:
Komandant Price, faleminderit për atë prezantim të ngrohtë dhe që sollët këtë anije të bukur në Shqipëri. Është një privilegj i vërtetë t’ju mirëpres ju dhe të gjithë ekuipazhin e Anijes së Shteteve të Bashkuara “Mount Whitney” në Shqipëri. Faleminderit gjithashtu edhe grupit të mirënjohur muzikor të Forcave Detare Amerikane në Europë dhe Afrikë dhe Blerina Brakës nga Orkestra e Forcave të Armatosura Shqiptare për interpretimet tuaja.
Gjithashtu, dua t’i shpreh mirënjohjen time Presidentit Bajram Begaj, për partneritetin tuaj të ngushtë – vendet tona janë më të forta dhe më të sigurta për shkak të lidhjes sonë historike dhe miqësisë së fortë. Të nderuar ministra, ambasadorë dhe të ftuar të nderuar, jemi të lumtur që na jeni bashkuar këtë pasdite në Anijen madhështore të Shteteve të Bashkuara “Mount Whitney”.
Mund t’ju kujtohet Komandanti shqiptaro-amerikan Alban Dervishi, i cili së fundmi mori komandën e Anijes së Shteve të Bashkuara “Pearl Harbor”. Edhe ai ka shërbyer në Anijen e SHBA-së “Mount Whitney” si një oficer i operacioneve, ndërsa ngjitej në gradat e marinës amerikane. Sot, ai shërben në vijën e parë, në ruajtje të sigurisë në rajonin e Indo-Paqësorit.
Dhe siguria është ajo që na ka bërë sot bashkë. Jemi këtu për shkak të angazhimit tonë të përbashkët për mbrojtjen kolektive dhe ruajtjen e popujve tanë. Anija e SHBA “Mount Whitney” – Anija e Komandës së Flotës së 6-të – që ankorohet këtu në Porto Romano simbolizon fazën tjetër të modernizimit ushtarak të Shqipërisë.
Shtetet e Bashkuara mirëpresin plotësisht dhe nxisin zhvillimin e një baze detare nga Shqipëria me kapacitet portual mallrash në ujëra të thella pikërisht këtu në Porto Romano. Investimi i Shqipërisë në përforcimin e Porto Romanos do t’i tregojë rajonit – dhe të gjithë Europës – aftësinë e Shqipërisë për të qenë një drejtuese e vërtetë në Aleancën e NATO-s.
Tashmë, Shqipëria është një aset jetik për NATO-n për shkak të vendndodhjes së saj strategjike. Por, duke përforcuar Porto Romanon dhe duke e lidhur atë me rrugë dhe hekurudha, Shqipëria do të bëhet një rrugë thelbësore për një operacion të mundshëm të ardhshëm në Krahun Lindor të NATO-s.
Përforcimi i Porto Romanos do të ndihmojë në sigurimin e linjave të komunikimit detar dhe në stabilizimin e transportit të materialeve ushtarake përmes kufijve. Gjithashtu, do të dërgojë një sinjal të qartë për të gjithë ata që kërkojnë të destabilizojnë sigurinë transatlantike: Ne jemi të aftë, ne jemi të bashkuar dhe ne jemi të angazhuar ndaj mbrojtjes kolektive në tokë, në ajër dhe në det.
Përtej përfitimeve të sigurisë, përforcimi i Porto Romanos do të kontribuojë për begatinë më të gjerë ekonomike të Shqipërisë – që nga rritja e tregtisë e deri te nxitja e projekteve të reja infrastrukturore që krijojnë vende Pune.
Aktualisht, portet në ujëra të thella që u duhen anijeve të marinës së aleatëve si Anija e SHBA “Mount Whitney” për t’u rifurnizuar ose për t’iu siguruar ekuipazheve të tyre pushim dhe çlodhje, janë të pakët në numër në Adriatik.
Përforcimi i Porto Romanos është një aspiratë e madhe – por realiste – aspiratë që kërkon një angazhim të fortë, veçanërisht një investim domethënës të fondeve kombëtare. Në Samitin e NATO-s në Hagë këtë verë, Aleatët u zotuan të shpenzonin 5 përqind të PBB-së për mbrojtjen. Angazhimi i fondeve kombëtare për Porto Romanon do ta sjellë Shqipërinë më pranë këtij angazhimi dhe do të hapë derën edhe për investime shumëkombëshe në Porto Romano, gjithashtu.
Presidenti Trump ka theksuar se të gjithë Aleatët duhet të përmbushin angazhimet e tyre dhe të rrisin shpenzimet për mbrojtje për t’u përballur me sfidat e sotme dhe rreziqet e së nesërmes. Zhvillimi i një objekti portual të ujërave të thella në Porto Romano me kalata të sigurta, me mjedise për trajtimin e ngarkesave dhe me lidhje me hekurudhat e rrugët, ndihmon për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje. Kjo do të përmirësojë sigurinë rajonale, do të forcojë Krahun Lindor të NATO-s dhe do të nxisë rritjen ekonomike.
Dua ta mbyll duke ndarë një histori nga një prej të ftuarve tanë këtu sonte, i cili më kontaktoi pasi mori ftesën. Ai më shkroi: “U rrita duke pritur që Flota e Gjashtë të na ‘pushtonte’. Ne i dëgjonim lajmet e Zërit të Amerikës në fshehtësi me shpresën se do të shpallnin një ngjarje kaq të rëndësishme. Kështu që në emër të të gjithë anëtarëve të familjes sime që nuk janë më me ne, dhe absolutisht të familjes sime të ngushtë, do të doja t’ju falënderoja që më bëtë dëshmitar të historisë”. Historia e tij tregon se sa shpejt dhe sa thellësisht mund të ndryshojë bota. Tani si Aleatë të NATO-s, duhet të jemi gati t’i përballojmë ato ndryshime së bashku.
Do të doja të shfrytëzoja një çast edhe për të përsëritur urimet për të përzgjedhurit si rreshterë të Shteteve të Bashkuara në bordin e kësaj anijeje. Ju jeni themeli i Marinës sonë. Faleminderit për shërbimin tuaj.
Kapiten Price, Z. President, Z. Vengu, Kryetare e Kuvendit Spiropali, Ministra dhe të ftuar të nderuar – ju lutem ngrini gotat me mua. Së bashku, do të vazhdojmë të forcojmë partneritetin historik të mbrojtjes dhe sigurisë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, të mbrojmë territoret tona dhe të ruajmë popujt tanë. Faleminderit dhe ju lutem shijoni kohën tuaj në bordin e anijes së bukur të Shteteve të Bashkuara “Mount Whitney”.
Komente

TE NDERTOHET NE PORTO-PALERMO NJE BAZE E MADHE E NATOS....TE JETE ME E MADHJA NE ADRIATIK......JEMI DAKORT....POR PO ATY DUHET DHE NJE PORT I MADH DETAR....SE PORTIN E VJETER E MORI ALABARI...
Përgjigju