Vite më parë, pas 1997-ës zezonë kombëtare, kur Partia Socialiste kish fituar votat masive të elektoratit të majtë e përtej tij, e po drejtonte pushtetin legjislativ e ekzekutiv në Shqipërinë e katrahurës, botova shkrimin “Kam frikë nga hijet rreth Nanos !”.
Titull që ma përmendin sot e kësaj dite mjaft shokë e miq dhe sidomos ish emigrantët bashkëvuajtës të detyruar në Greqi. Të them të drejtën, për mua ishte një shkrim i zakonshëm dhe intrigues kryesisht nga rrëfimet shqetësuese të mjaft militantëve të thekur të asaj force politike, por edhe nga simpatizantët e saj jo të paktë.
Fatos Nano kishte dalë nga burgu politik i pashembullt në Ballkan e Europë ! Burgosje që tronditi rëndë besimin te Demokracia e vërtetë e Lirisë së trumpetuar me megafonë të vegjël e të mëdhenj, por edhe me daulle e me gërnetë ekstazë në ato kohëra të krisura. Hipokrizia e fjalimeve euforike për Pluralizmin e vërtetë politik, po digjej shpejt si flakë kashte.
Ndërsa mitingu i papërsëritshëm i qindra emigrantëve shqiptarë nga tërë Greqia në sheshin “Omonia” për tu takuar e biseduar ballë për ballë me Fatosin pa pranga në duar, do të mbahet mend gjatë. Kam parë nga afër gra e burra nga Labëria dhe Jugu që manifestonin të përlotur, të gëzuar, po edhe të revoltuar në kulm për bëmat e gjëmat që ranë nga pushteti çmendurak e kulpërak i së Djathtës.
Kam parë nëna e motra të veshura si korbat për dhjetëra e dhjetëra burra, djem, vëllezër e fëmijë të ikur në atë botë nga plumbat e shtetit që ra si kuti kartoni sidomos pas rrokullimës së Piramidave financiare. Piramida që i hodhën pa mëshirë në mes të katër rrugëve dhe i zhveshën lakuriq shumë familje nga qyteti e fshati.
Kam parë e takuar bashkatdhetarë të arratisur nga sytë këmbët nëpër male e mbi telat me gjemba, që mallkonin me shpirt politikanët e çakërdisur e të hazdisur dhe rënkonin e vajtonin fatin e tyre dhe lënien e baballarëve e të nënave kërcure në pragjet e shtëpive të mbuluara nga zia e vetmia krejt e pamerituar. Madje, u shtuan si në një heshtje mortore, shtëpitë me oxhaqet pa tym dhe me drynat e ndryshkur mbi porta !
Një dramë e tragjedi e prekshme dhe e thekshme gjer në kockë. Atdheu ishte plagosur rëndë e brinjë më brinjë nga Polit(h)ika qorre e atij “regjimi gangster”. O njerëz, disa mbeturina e karrakatina të atij regjimi të mallkuar që na rrëmbeu deri shtëpi e katandi dhe na vërviti udhëve helm të kurbetit, që na shau e na vrau, që na ndau e na përçau, që gjakosi e varrosi lulen e vendit nga Tropoja në Sarandë, sot në perëndim e sipër kërkojnë me çdo çmim pushtet për t’ua lënë si pajë pinjollëve familjarë e politikë(?!).
Por nuk mund të harrohet as “turpi i namusqarëve patriotë” që gjoja u qante shpirti për “dinjitetin” kombëtar dhe dilnin nëpër ekranin e TVSH-së Policor të pacipë, bashkë me gjymat me ujë të qelbur për të fikur zjarrin e revoltës së vërtetë popullore(më saktë: revolucionin demokratik!) në emër të “imazhit” e të “krenarisë” shqiptare (?). Mirëpo, historia nuk harron. Ajo mban shënim edhe ëndrrat e shpresat sadopak xixëlluese…
-Dëgjomë pak, miku im i vjetër ! Ato “hijet rreth Nanos” para 25 viteve, shumica e tyre vërtiten, rrojnë e mbretërojnë ende në këtë botë jallane. Kujtoj një ish- ministër kokëplotë e dinjitoz nga Bregu i Detit, atëherë na tha se e kish parë mbi tavolinën e Kryeministrit gazetën e hapur te shkrimi yt,-më tregonte këto ditë një miku im i vjetër, gjirokastrit 24 karat, që banon këtu te Brryli.-Troç muhabeti, ato hije nate e mandate do ia hanin kokën pak më vonë, jo vetëm në Qeveri po edhe në Parti.
Nuk e them dot se Doktori po bënte gjumin e shejtanit apo ca “kolloqife me rigon”! Por kam bindje të palëkundur, se më të poshtër e më faqezinj ishin ata titullarë që këtej i lëpiheshin Fatosit, e matanë ndërtonin pallate me maska e pa maska, merreshin me kontrabandë skuthash e me kapobanda financiare tepër të pista nën ombrellën e pushtetit . U bënë aq të fuqishëm prapa krahëve, sa filluan të mos pyesnin as për shefin e Ekzekutivit e as për Sekretarin e Përgjithshëm “autoritar” të PS-së(?). Qoftë edhe për një pushim krejt arbitrar e arrogant nga puna…Çudira të krokolepsura që nuk janë ç’krokolepsur plotësisht sot e gjithë ditën ! Sinqerisht, nuk dua të besoj vetëm thashethemnajat popullore që qarkullojnë pa hesap.
Ti i provove vetë në kurriz, megjithëse kishe qenë pjesëmarrës me mandat në mbledhjen Themeluese të asaj force politike ku fale kontributin tënd. Ç’të të them unë më shumë ! Për shembull, viti 2005 i kërceu mjaft të palara mbi ujë, por sa para bën, atëherë “harro mushkë Valarenë”…Nuk ishin vetëm ekranet e Tëvërave. Jo ore, jo, për mua dhe shumë e shumë të majtë, atë e rrëzuan Pëgërat(jashtëqitjet) rreth tij, që sot pëlcasin nga pasuria e llogaritë bankare. Disa nga këta burrecër, të pabesë e karrieristë të tërbuar që shesin edhe babë e nënë, vazhduan çuditërisht deri tani vonë nëpër kolltukë të larta qeveritare.
Dhe qyrkun e fajit ia hidhnin tinëzisht e djallëzisht Kryeministrit Nano ! Mirëpo mjerisht, koha po vërteton plotësisht mjaft fytyra të ndyra nga e majta, që dikur Fatos “liberali demokrat” e pa asnjë kompleks primitiv e militantesk i pranoi në vatër te oxhaku, u mësoi abc-në e liderit dhe të politikës moderne. Por siç thoshin dikur në mëhallën tonë të Dunavatit, ata kërthinj një ditë “u rritën e u manitën!” Mbi 30 vite me prapanicën mbi benza luksozë, me shoferë e bodiguardë, me vila në kryeqytet, në mal e në det. Dhe janë po këta sojsëzë të pandreqshëm që sot vjellin vrer fshehurazi edhe kundër Edi Ramës, pasi ia volën pushtetin pacipërisht ! Nuk e ndërrojnë kollaj qimen, e as zakonin e ujkut a të dhelprës plakë. Neve mbase e kullotëm livadhin e jetës dhe po na mblidhet lëmshi ngadalë e me faqe të bardhë, por kjo është e vërteta e hidhur, e thartë apo e ëmbël qoftë…
Fatos Nano nuk ka hiç nevojë për prokuror, gjyqtar, avokat a gazetar si unë që po na troket muzgu i jetës. Por të thuash publikisht se atë e rrëzuan Tëvërat, veç të tjerave, minimalisht synohet të shiten xhaba çerek e gjysmë të vërteta. Sikur i drejtohen një tufe me budallenj e naivë të vjetruar që çakërrisin sytë përballë tyre. Fjala vjen, a mund ta krahasosh standartin e tij perëndimor të dorëheqjes me ndonjë lider djathtas e majtas që ka 17 vjet(pas largimit të Fatosit) dhe mbajnë ende me thonj e me dhëmbë kolltukë e poste partiake e shtetërore ?...Dhe kanë nisur të qajnë me lotë krokodili fatin e rinisë shqiptare !
Dhe harrojnë që “popullin mund ta mashtrosh për një kohë, po jo për tërë jetën”. Nuk është thënë kot nga të mençurit: Ruhuni nga gjysmë të vërtetat ! Dhe mos na hidhni tra më tra ! Ose më thoni: Kush sakrifikoi dhe e pagoi më shtrenjtë e më shumë nga e majta (në daçi edhe djathtas) nëpër qelirat me pranga mesjete të Pluralizmit të çartallosur ? Dhe namusqarët “patriotë” vazhdojnë t’i lakojnë e zgjedhojnë rrufisjet e gotës së uiskit ! Ndërsa sot duartrokasin ata që u hapën udhë Gërdeceve e qameteve me njerëz të djegur e të pjekur; hakmarrjes e gjakmarrjes në zemër të Tiranës(se për Azemin e lëpinë paturpësisht emrin e Fatosit, duke shkelur gjuhën!); vrasjeve të njerëzve me duar në xhepa te shkallët dhe trotuaret e selisë së Qeverisë ose ato vrasje 100 metra larg Ministrisë së Brendshme etj. etj. hatara që nesër do tromaksen brezat e rinj. Thoshte mirë një tregimtar i talentuar: O Zot, mos na shtjer në ngasje, por shpëtona nga i ligu !....
Neverinë deri në urrejtje ndaj Polit(h)ikës mashtruese e fare të pacipë e gënjështare që bubullin nga vilat e pasuritë marramendëse, në fund të fundit , e ushqejnë realisht Pëgërat brenda e rreth saj, majtas e djathtas. Politikani qytetar e i mençuri Nano, pas daljes nga burgu i padrejtë politik, nuk demonstroi asnjë thërrime hakmarrjeje ndaj atyre që i vunë prangat në sytë e prindërve antifashistë të betuar e të moshuar dhe tepër të respektuar në opinion !
Por ama, toleranca, liberalizmi progresiv, kultura e konsoliduar dhe qytetaria e tij e njohur edhe nëpërmjet humorit e sarkazmës së rrallë, arritën që ta bënin pas krahëve bishtin më të madh se sqepari !...Nuk hezitoj ta them se ai është një nga studentët e shkëlqyer të brezit tim dhe që botonte shkrime jo dosido në gazetën “Studenti” ku unë punoja e drejtoja pa asnjë lloj shpërblimi financiar. Dritëroi ynë, miku im i pazëvendësueshëm, një nga patriarkët e së majtës moderne dhe vëzhgues i hollë e kritik i veprimtarisë së Fatosit, foli prerë e publikisht kur të tjerë mërmërinin frikshëm ose heshtnin : “Fatos Nanoja është një personalitet i shquar shoqëror dhe politik, me një kulturë të admirueshme kombëtare dhe europiane…Kuadro si ai nuk dalin në horizont cdo vit !”…
Kane emera ata mosmirenjohesit e Nanos, apo ashtu kot....ne pergjithesi....
PërgjigjuKa filluar mire pumen sektori i partise per te rehabilituar figurat me sinjifikative te korrupsionit te kuq si puna e Nanos! E di edhe bufi (perfshi Yllin) qe Rama se bashku me Meten i vune minat Nanos. Por nga ajo pune u zbyth Meta dhe perfitoi Berisha v.2 ose njohur me emrin e artit Rame Byroisti! Ah po. Ishte ajo kohe kur nuk porotestonte as Berisha askush per be, vecse krijeses Ramisto-Sorrosiane te quajtur "Mjaft" me ne krye pionerin e "lirive civile" mistrec Veliaj! Te cilin e testuan me sukses ne levizjet Nano-Ik, per ta finalizuar me tej me "rekrutimin" ne gjirin e mafies se kuqe sapo u certifikua si zero me bisht ne zgjedhjet nen G-99 (Gomari 99???). Po nejse. Beni punen tuaj sipas vijes se sjelljes nga "lart".
PërgjigjuShkrim servilesh , me nuhatje hijenash !
Përgjigju