Juventusi dhe Napoli përballen të shtunën në orën 18:00 për raundin e pestë në Serie A. Në prag të ndeshjes për mediet foli edhe Antonio Conte, trajneri i Napolit.
I njohur për punën e mirë që ka bërë te Juventusi si futbollist dhe trajner, Conte nuk mund t'i largohej të shkuarës, duke thënë se ai është pjesë e historisë bardhezi.
“Historia ime është rreth 13 vjet të kaluara te Juventusi si lojtar, ku unë isha kapiten dhe ku fituam gjithçka. Kam pasur mundësinë të bëj tre vite si trajner në një moment të vështirë dhe të nis një cikël fitimtar. Unë jam pjesë e historisë së Juventusit për atë që kam dhënë", tha ai.
Conte pranoi se është më i vështirë largimi si trajner nga një klub.
“Është e pashmangshme që si lojtar është më e lehtë të zgjedhësh rrugën tënde, pastaj si trajner e ke shumë të vështirë të vendosësh rrugën tënde. Gjithmonë i kam nderuar vendet ku kam trajnuar.
Sot kam kënaqësinë e pamasë të stërvit një klub si Napoli, për mua, i lindur në jug, është krenari dhe kënaqësi", vijoi Conte.
Trajneri nuk i fsheh emocionet e rikthimit si kundërshtar në stadiumin e Juventusit
“Për mua do të jetë emocionuese të kthehem në atë stadium, ashtu si pas disa vitesh do të jetë emocionuese të përballem sërish me Napolin si kundërshtar”, deklaroi Conte.