Napoli dhe Interi në garë për titullin kampion

Sport

Napoli në prag të historisë! Festa e titullit kushton 500 mijë euro, por Serie A mund të rezervojë surprizën e ndeshjes finale

23 Maj, 10:50| Përditesimi: 23 Maj, 10:52

  • Share

ITALI - Napoli është një hap larg fitimit të titullit të katërt kampion në historinë e klubit dhe ethet e ‘Scudetos’ kanë pushtuar qytetin jugor. Me vetëm një javë të mbetur në kampionat dhe një avantazh minimal ndaj Interit, entuziazmi është në kulm, ndonëse matematika ende nuk ka dhënë verdiktin përfundimtar.

Këshilli Bashkiak i Napolit ka nisur përgatitjet për një festë madhështore në rast triumfi. Plani përfshin një paradë me dy autobusë të hapur përgjatë bregdetit napoletan, në një itinerar prej rreth 2.5 kilometrash.

Për tifozët që nuk mund të ndjekin nga afër festën, janë parashikuar katër ekrane gjigante që do të transmetojnë drejtpërdrejt atmosferën festive. Edhe pse data nuk është ende zyrtare, e hëna duket si dita e mundshme për zhvillimin e kësaj ngjarjeje të madhe.

Ceremonia do të nisë me mbërritjen e skuadrës nga deti, përmes ankorimit në skelën e 'Mergellinës', për të vijuar më pas me paradën përgjatë shëtitores.

Sipas mediave italiane, Bashkia e Napolit ka vënë në dispozicion një fond prej 500 mijë eurosh për këtë festë, që përfshin edhe ngritjen e tre ekraneve të mëdhenj në sheshet kryesore të qytetit, ku tifozët do të mund të ndjekin ndeshjen vendimtare kundër Cagliarit (sot 20:45).

Serie A vazhdon të ruajë tensionin deri në fund

Nëse Napoli barazon sot me Cagliarin dhe Interi fiton po sot ndaj Comos, atëherë titulli do të udhëtojë drejt Milanos. Në një tjetër skenar dramatik, në rast se Napoli humbet dhe Interi barazon, të dyja skuadrat do të përfundojnë sezonin me nga 80 pikë, duke çuar kampionatin në një ndeshje “play-off” për titullin.

Në këtë rast të jashtëzakonshëm, Federata Italiane ka planifikuar zhvillimin e ndeshjes finale të titullit për të hënën, më 26 maj, në stadiumin "Olimpico" të Romës, një duel që do të hyjë në histori.

Në Napoli, shpresat janë të mëdha, por edhe tensioni po aq i lartë. Qyteti është gati për festë, por sytë janë të gjithë te 90 minutat e fundit, që mund të përcaktojnë fatin e një sezoni emocionues në Serie A.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?