Flamuri shqiptar dhe i Bashkimi Evropian

Opinion

Nastradini, Gjermania dhe populli shqiptar që pret prej BE-së të realizojë Bashkimin Kombëtar

13 Nëntor 2021, 19:14| Përditesimi: 13 Nëntor 2021, 19:16

  • Share

Në një dhomë burrash, njëri e pyeti Nastradinin.

-O Nastradin, sa vjeç je?

Ai i përgjigjet, “20 vjeç jam”.

Pas 20 vitesh i njëjti person e pyet sërish Nastradinin se sa vjeç ishte.

Nastradini përgjigjet, “20 vjeç”.

Ai i habitur i thotë… – Po si ka mundësi? Para 20 viteve të kam pyetur dhe më the se ishe 20 vjeç e tani sërish 20 vjeç je!

Nastradini ia kthen.- Po burri që është burrë e mban fjalën dhe vetëm një herë flet.

Edhe segmente të politikës shqiptare sot ngjasojnë me historitë e Nastradinit. Ekzistojnë debate po kaq qesharake në politikën shqiptare.

Disa nga politikanët shqiptarë sot, pa vizion, ose ngaqë për interesat e tyre personalë nuk lejuan ndërtimin e një shteti normal ligjor, si shumica e vendeve të tjera europiane, për arritjet e tyre personale dhe pushtetin e pamerituar që gëzuan në dy-tri dekadat e fundit, mburren njësoj si Nastradini me burrërinë e tyre. Nuk është burrëri të mbash fjalën e të mbrosh veten, shokun, bashkëpunëtorin apo vartësin, nëse ai vihet nën akuzë për abuzim ose si shkelës ligji. Ka vetëm një tradhti në politikë, kur ngarkohesh me përgjegjësi për të respektuar ligjet dhe nga ana tjetër shet interesat e kombit e të popullit (të atyre që të kanë votuar, por edhe të atyre që nuk të kanë votuar) për të mbrojtur interesa personalë, familjarë apo të një grupi të caktuar.

Pak politikanë në historinë e Shqipërisë kanë pasur shansin historik dhe kanë fituar besimin e popullit për të qeverisur gjatë, të paktën për një dekadë. Të njëjtët pa asnjë përgjegjësi, mburren para besimtarëve të tyre për “burrëri”. Të jesh burrë, qeveritar i mirë dhe burrë shteti, ka një ndryshim të madh mes tyre. Besa dhe burrëria janë virtyte të moçme shqiptare, por përmes këtyre virtyteve po të kishte pasur besnikëri ndaj ligjit dhe shtetit të së drejtës, nuk do të vihej në diskutim burrëria e askujt, qoftë edhe nëse detyrën e lartë shtetërore do ta mbante një grua. Nëse merr një detyrë dhe ngarkohesh me përgjegjësi të larta shtetërore, shokët më të mirë duhet të jenë ligji dhe kushtetuta, përderisa betohesh publikisht para tyre. Nëse e shkel këtë betim, për çfarëdolloj arsyeje apo qëllimi, nuk bën gjë tjetër veçse kthehesh në një ‘nastradin’.

Të pretendosh se je burrë shteti ose qeveritar i mirë ngaqë e mban fjalën para shokëve, bashkëpunëtorëve me vartësit dhe përkrahësit e tyre, qoftë edhe kur ata janë pasuruar pa garë duke abuzuar me detyrën, shkelur ligjin, ose kur kanë dhunuar të drejtat e qytetarëve të tjerë që duheshin mbrojtur njësoj, a nuk është ky i njëjti premtim i realizuar si ai i Nastradinit.

Që nga koha e lavdishme e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, i cili pas luftës dhe qëndresës heroike kur mposhti perandorinë më të madhe të kohës, për të çliruar trevat shqiptare, ndoshta pas tij edhe Ismail Qemali, vështirë se mund të gjendet një tjetër burrë shteti, që të ketë punuar për shtetasit e tij dhe vendin e tij pa dallim krahine, feje dhe ideje: për liri, barazi, drejtësi dhe bashkim kombëtar. Falë dashurisë për Atdheun, baballarët e kombit shqiptar ishin burra të cilët, edhe pse e gjetën popullin e tyre të përçarë, të nënshtruar e të shtypur, vendin pa kushtetutë dhe pa institucione, nuk e ngritën kurrë karrierën politike mbi interesa të ngushtë personalë.

Të mbrosh bashkëpunëtorët sa herë që ata shkelin ligjin, t’u japësh liri pa kufi hajdutëve dhe abuzuesve në emër të “burrërisë”, këtë ves baballarët e kombit mbase do ta quanin “tradhti”. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e konsiderojnë historikisht veten të tradhtuar nga politikat përçarëse dhe dikush sot duhet t’ju shpjegojë arsyen, ose ndoshta një ditë tjetër kur kombit t’i dalë për zot një burrë shteti.

Dy janë kombet e mëdha mike, aleate strategjike, pa të cilat kombi shqiptar mund të mos ekzistonte sot: SHBA dhe Gjermania me aleatët e Europës Qendrore (si Austria). Angela Merkel ishte grua, e vlerësuar si një qeveritare e zonja, e cila e qeverisi me sukses Gjermaninë për 16 vjet. Ajo u nda nga paraardhësi i saj, Helmut Khol, edhe pse ishte promovuar si pasardhësi i tij, vetëm sepse ai kishte shpenzuar në rrugë të paligjshme rreth 2 milion euro për fushatën e partisë. Merkel nuk u gjykua kurrë nga partia dhe populli gjerman për tradhti. Ishte apo nuk ishte ajo një burrë shteti, kjo i mbetet të vlerësohet më tej nga historia. Ndërsa Otto von Bismarck ishte një burrë shteti për Gjermaninë. Në verën e vitit 1862, kur ai u emërua kryeministër i Prusisë, si fillim zgjidhi enigmën që kishte penguar diplomacinë evropiane për dy breza: si të bashkohej Gjermania dhe të riorganizohej Evropa Qendrore.

Ai duhej të kapërcente pengesën që Gjermania me 39 shtete sovrane të bashkohej në të ashtuquajturën Konfederatë Gjermane. Megjithatë, për 28 vitet që shërbeu si kancelar i Gjermanisë, Bismarku mbrojti atë që kishte ndërtuar përmes një diplomacie të përmbajtur dhe të mençur, e cila ishte elementi i vetëm më i rëndësishëm për ruajtjen e paqes në Evropë.

“Harta ime e Afrikës qëndron në Evropë,” thoshte ai duke i rezistuar presioneve për të fituar koloni, siç bënin Franca dhe Britania. Koha tregoi se Gjermania u ngrit dhe u zhvillua si një komb i madh pa qenë e nevojshme për të shfrytëzuar lirinë dhe pavarësinë e kombeve të tjera.

Sugjerimit për një luftë parandaluese kundër Rusisë ai iu përgjigj me fjalët: “Mjerë ai burrë shteti, argumentet e të cilit për të hyrë në një luftë nuk janë aq bindëse në fund të saj se sa në fillim”. Profecia e tij u realizua kur Hitleri bindi popullin në fillim, provoi të futej në luftë, ndërsa fundi dihet: ai nuk preferoi të jepte asnjë argument ‘bindës’ pas disfatës.

Gjermania u nda e shkatërruar totalisht pas luftës së parë dhe akoma më keq pas të dytës, por u ringrit dhe u bashkua prapë për të udhëhequr sot Europën ekonomikisht dhe politikisht, ashtu siç e kishte projektuar një burrë shteti. Burrat e shterit flasin rrallë.

Por më të rralla se fjalët janë veprat dhe trashëgimia që ata lënë pas. Gjatë gjithë kohës, tendencat e Evropës Qendrore vëzhgoheshin me kujdes nga dy fuqitë “anësore” të Gjermanisë, Franca dhe Rusia, të shqetësuara dhe të gatshme për të parandaluar – shfaqjen e një shteti tjetër që do të ishte i aftë për të ndryshuar ekuilibrin ekzistues të fuqive evropiane.

Një Gjermani e bashkuar do të ishte mjaft e fuqishme për të mposhtur secilin nga fqinjët e saj individualisht, kurse diplomacia Bismarkiane kishte projektuar se herët a vonë do t’i detyronte fqinjët e saj, veçanërisht Francën dhe Rusinë, të futeshin në koalicion. Bismarku u përpoq t’i kundërshtonte ato duke e futur Gjermaninë në një seri marramendëse aleancash pjesërisht të mbivendosura, pjesërisht konfliktuale, me synimin për t’u dhënë fuqive të tjera të mëdha – përveç Francës së papajtueshme – një interes më të madh për të bashkëpunuar me Gjermaninë. Gjermania e udhëheq sot e sigurt Europën.

Franca nuk e udhëheq dot kontinentin pa forcën ekonomike të Gjermanisë. SHBA është në aleancë me gjermanët, në atë që konsiderohet boshti i Perëndimit, ndërsa nga Lindja, Rusia dhe Kina e shohin me admirim trashëgiminë politike që la Bismark.

Gjermania kërkon sot një Europë edhe më bashkuar, edhe më paqësore, nën udhëheqjen e saj. Shqipëria dhe trojet e tjera shqipfolëse janë në Europë dhe kanë fatin historik t’i përgjigjen kësaj politike, për realizimin e ëndrrës së tyre të përbashkët të Bashkimit Kombëtar, por më parë duhet të heqin dorë nga politika që mbijeton dhe mburret se do t’i bashkojë përmes barsaletave të Nastradinit.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?