Foto nga 'Sunny Hill Festival'

Nata e parë e Sunny Hill 'elektrizon' Tiranën! Ja çfarë ndodhi në koncert, nga çelja e dyerve në 15.00 te mbyllja në orët e para të mëngjesit (FOTO)

27 Gusht 2022, 11:58| Përditesimi: 27 Gusht 2022, 12:34

  • Share

Sunny Hill, mbrëmja e parë e festivali ndërkombëtar në Tiranë! Pas Prishtinës, Sunny Hill mbërriti për herë të parë në Tiranë. Yjet vendas e ndërkombëtarë të muzikës lajmëruan dje ardhjen në Shqipëri përmes rrjeteve sociale. Ndër të parët ishte artistja Dafina Zeqiri që postoi një video me të dashurin e saj dixhej Geek, duke evidentuar destinacionin: Në Tiranë!

“Sapo kemi mbërritur në Tiranë, në Shqipëri. Jemi bashkë me Tananain, dhe ju presim në Sunny Hill sot”, lajmëroi Fedez në një video të postuar në Instagramin e tij ku ndiqet nga 14,3 milionë dashamirës të tij.

Organizatori Dukagjin Lipa nuk e fsheh entuziazmin që shikon të rinjtë e Shqipërisë e Kosovës, që bashkohen në një ngjarje  të tillë të muzikës. Premtimit të tij se këto net do të jenë fantastike iu bashkua edhe kreu i bashkisë Erion Veliaj…

I menduar për tri netë radhazi me pjesëmarrjen e 40 artistëve të ftuar nga këngëtarja Dua Lipa, Sunny Hill Festival, nisi të gjallërojë atmosferën pranë Liqenit të Tiranës. ditën e premte që prej orës 15.00 pas mesdite, me të rinj që vinin jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe jashtë saj.

Dikush zgjodhi të hyjë përmes Portës Lindore e të tjerë në atë Perëndimore. Për t’u argëtuar krahas performancave që priteshin në skenë, ofroheshin një sërë lojërash të improvizuara edhe me zonën dedikuar fëmijëve, me lojra digjitale por edhe tradicionale.

Një aplikacion i thjeshtë lejonte konsumin e pijeve e ushqimeve , përmes kodit të marrë bashke me biletën, organizatorët ishin kujdesur të reklamonin edhe disa nga produktet e trojeve shqiptare.

Pa mbërritur ora 20.00, publiku iu bashkua ritmeve të hiteve të artistëve shqiptarë si Dafina Zeqiri, Dren Abazi, Capital T, Art Lokaj dhe Art Halilli. Një festë muzikore që solli personazhe të njohur nga skenat ndërkombëtare. Kështu afroi reperin e moderatorin amerikan Action Bronson,  në vendin e tij të origjinës. Kantautorë e këngëtarë, nga Italia fqinje iu bashkuan festivalit artistët Tananai e Fedez, bashkëshorti blogeres së njohur Chiara Ferragni, të cilët interpretuan ‘kuajt e tij tyre të betejës’ në skenën e improvizuar.

Krahas performancës së Sancet, CryJaxx nga Tirana, improvizuan një gamë të larmishme zhanresh nga hip hop, dance pop etj., duke  përfshirë në një valë kërcimi e entuziazmi të rinjtë ditës së parë të Sunny Hill. Nata e parë e Festivalit, duke ruajtur atmosferën e gjallëruar deri në fund, uli siparin rreth orës 4.00 të mëngjesit.

Ndërsa mbrëmjen e sotme, fjala kryesore u takon kryesisht artistëve ndërkombëtar, por nuk do të mungojnë as tingujt e përzgjedhur të muzikës vendase. Fjalën në performancat artistike të natës së dytë të Sunny Hill e marrin, Hardwell, Afrojack, Regard, Merk&Kremont, Drop G, Kamela, Ampov dhe Vin Veli.

Sunny Hill është Festivali më i madh që mbahet në Kosovë prej vitit 2018. I organizuar nga Dua Lipa dhe babai i saj, me qëllim humanitar, promovimin e Kosovës, artistëve shqiptarë, dhe afrimin e të huajve me artin, por edhe turizmin në vendin tonë.

Kjo hapësirë e Parkut të Liqenit, në Kryeqytetin Evropian të Rinisë, po mendohet të kthehet nga Bashkia Tiranë në një skenë të qëndrueshme, ku të organizohen aktivitete të ngjashme.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ylli milo: 28/08/2022 23:59

    Civilizim kulturë emancipim liri modernizim europianizim perëndimor modë e kohës.Përgëzime Erion velias.Tirana qyteti i ëndrave dhe i të ardhmes europiane.

    Përgjigju
  • Bim: 27/08/2022 14:00

    Me vjen mire qe edhe te rinjtë shqiptar kan mundsi me shiju keto shfaqje si koleget e tyre europian

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?