Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se në vend janë dislokuar edhe afër 270 paqeruajtës nga rezervat operacionale të Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë.
KFOR-i tha se personeli i dislokuar do të operojë në bazë të përkohshme, së bashku me 200 forca rezervë që veçse janë dislokuar në Kosovë nga brigada italiane “Sassari”.
“Këto përforcime – së bashku me trupat e KFOR-it – rrisin aftësinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të rëndësishëm të situatës së sigurisë në përputhje me mandatin që buron nga Kombet e Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, u tha në njoftim.
KFOR-i përsëriti qëndrimin se vazhdon të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
KFOR-i ka rritur praninë sa herë që situata ka qenë e tensionuar në Kosovë, sikurse ishte sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Kur u dislokua për herë të parë në Kosovë, pas përfundimit të luftës, KFOR-i kishte 50.000 trupa, ndërkaq sot ky numër është afër 4.600 ushtarë.
Komente
