Bota

NATO synon 40 miliardë euro ndihma çdo vit për Ukrainën

30 Maj, 22:24| Përditesimi: 30 Maj, 22:27

  • Share

PRAGË- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka kërkuar vendeve anëtare të zotohen për 40 miliardë Euro ndihma vjetore për Ukrainën, i tha të enjten një burim i aleancës agjencisë së lajmeve Reuters, ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s po mblidheshin për bisedime në Pragë.

Stoltenberg nuk ka përmendur më parë një shumë të caktuar, por më herët zyrtarë të NATO-s patën hedhur idenë e rreth 100 miliardë eurove në pesë vite, ose 20 miliardë euro në vit.

Me pasigurinë për të ardhmen e mbështetjes amerikane për Ukrainën për shkak të mundësisë së rikthimit në Shtëpinë e Bardhë të ish-presidentit Donald Trump, ministrat e jashtëm të NATO-s do të diskutojnë të premten për mënyrat se si mund t’i japin një të ardhme më solide dhe afatgjatë ndihmave për Ukrainën.

Bisedimet do të përqëndrohen tek qartësimi i detajeve për paketën e ndihmave për Ukrainën, për të cilën do të jepet miratimi në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington, në datat 9-11 korrik, ku do të ketë edhe ndryshime për mënyrën se si do të organizohen armët dhe municionet që dërgohen.

"Duhet ta ruajmë nivelin aktual të mbështetjes si një minimum për të siguruar Ukrainës kushtet për t’i parashikuar situatat, për aq kohë sa do të e nevojshme", tha një burim i NATO-s, duke shtuar se aleatët kishin dhënë rreth 40 miliardë euro në vit që nga sulmi frontal i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.

Gazeta gjermane Handelsblatt tha më herët të enjten se zoti Stoltenberg po kërkonte një zotim nga vendet anëtare prej 40 miliardë dollarësh në vit.

Stoltenberg ka propozuar që NATO-ja të marrë përsipër koordinimin e ndihmës ushtarake ndërkombëtare për Ukrainën, duke i dhënë aleancës një rol më të drejtpërdrejtë në luftën kundër Rusisë, ndërkohë që ky rol nuk përfshin angazhimin e forcave të NATO-s në këtë konflikt.

Kremlini tha të enjten se Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe disa vende evropiane po e inkurajonin Ukrainën të vazhdojë atë që e quajti "luftën e pakuptimtë" të Kievit me Rusinë dhe i akuzoi ata për përshkallëzimin e tensioneve në javët e fundit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë vazhdimisht se aleatët perëndimorë po marrin më shumë kohë se ç’duhet për të marrë vendime kyçe për mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

ARMATIMET E DHURUARA

NATO-ja do të merrte përsipër koordinimin e armatimeve të dhuruara dhe të furnizimeve nga grupi Ramstein i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, një koalicion ad hoc me rreth 50 vende pjesëmarrëse, i emërtuar sipas një baze ajrore amerikane në Gjermani, ku u mblodh për herë të parë në vitin 2022.

Lëvizja shihet gjerësisht si një përpjekje për të siguruar një lloj rezistence ndaj mundësisë së rikthimit në detyrë të ish-presidentit Trump, duke e vendosur koordinimin nën një ombrellë të NATO-s.

Por diplomatët pranojnë se një masë e tillë do të kishte efekt të kufizuar, pasi Shtetet e Bashkuara janë fuqia dominuese e NATO-s dhe sigurojnë shumicën e armatimit për Ukrainën. Pra, nëse Uashingtoni do të donte të pakësonte ndihmën perëndimore për Kievin, do të kishte mundësinë ta bënte këtë.

NATO-s do të duhet gjithashtu të kapërcejë rezistencën nga kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili e ka bërë të qartë se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në përpjekjen e re, duke argumentuar se ajo e afron aleancën më pranë një lufte me pasoja katastrofike me Rusinë.

Ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s pritet gjithashtu të trajtojnë atë që shihet si ndryshimi më i fundit në mbështetjen perëndimore për Ukrainën, me disa aleatë që po heqin kufizimet që ia ndalonin Kievit të përdorte armë të dhuruara për të goditur objektiva brenda Rusisë - një lëvizje kundër së cilës presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin.

Ndërsa administrata amerikane po peshon pozicionin e saj, sekretari i Shtetit Antony Blinken do të pyetet me siguri nga homologët e tij në Pragë nëse Uashingtoni do të ndjekë shembullin e tyre.

Të mërkurën, ai u bë zyrtari i parë i administratës që sinjalizoi se Shtetet e Bashkuara mund të shqyrtojnë ndryshimin e qëndrimit të tyre.

"Mendoj se ajo që keni parë gjatë dy viteve të fundit - ndërsa natyra e fushëbetejës ka ndryshuar, pasi vendndodhjet, mjetet që Rusia po përdor kanë ndryshuar – është se ne kemi ndryshuar dhe jemi përshtatur", tha sekretari Blinken në Moldavi.

"Kjo është pikërisht ajo që do të bëjmë në vijim", shtoi ai.

Uashingtoni ka qenë deri më tani mbështetësi më i madh financiar dhe ushtarak i Kievit që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, por Uashingtoni ka thënë vazhdimisht se as nuk inkurajon dhe as nuk mundëson sulme jashtë territorit të Ukrainës./ VOA

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?