Pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë, Ilir Rusi është zgjedhur në krye të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi Naureda Llagamit i ka përfunduar mandati.
Rusi është votuar me shumicë votash për të marr këtë post, në mbledhjen e zhvilluar sot të KLGJ, ku Këshilli deklaroi mbarimin e mandatit dhe përfundimin e qëndrimit në detyrë të Naureda Llagamit dhe zëvendësimin e saj me anëtaren më të re, Violanda Theodhori, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si përfaqësuese e shoqërisë civile.
“Këshilli deklaroi mbarimin e mandatit dhe përfundimin e qëndrimit në detyrë të anëtares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami dhe zëvendësimin e saj me anëtaren më të re, znj. Violanda Theodhori, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si përfaqësuese e shoqërisë civile. Duke qenë se znj. Llagami mbante funksionin e kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, me përfundimin e mandatit të saj, Këshilli në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore në fuqi vendosi zgjedhjen e z. Ilir Rusi, Kryetar të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, njoftoi sot KLGJ.
Sakaq, në mbledhjen e sotme Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi zgjedhjen me shumicë votash të anëtares Yllka Rupa, në funksionin e zëvendëskryetares të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi ky pozicion ishte bosh me zgjedhjen e Ilir Rusit kryetar.
Kryetari i ri i KLGJ, Ilir Rusi, zotëron titullin “Profesor i Asociuar” dhe është diplomuar për gradën shkencore “Doktor” në të Drejtën Civile nga Universiteti i Tiranës. Përvoja e tij e profesionale përfshinë detyra dhe emërime të ndryshme ndër vite, si: Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, zv. Dekan në po të njëjtin Fakultet, Pedagog në Departamentin e të Drejtës Civile. Gjatë dy viteve të fundit, Ilir Rusi ka mbajtur funksionin e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga data 02.03.2022 deri më sot, kur është zgjedhur Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.