Ndahen çmimet e Festivalit të Teatrit për 10 Shkollat e Mesme në Tiranë

4 Prill 2019, 15:51| Përditesimi: 4 Prill 2019, 16:19

  • Share

Festivali i Teatrit për Shkollat e Mesme, TK-RIN ART 2019 mbyll siparin. Në edicionin e dytë gjimnazistët e dhjetë shkollave në Tiranë, ngjitën në skenën e “ArTurbinës” shfaqje, si “Babai”, “Testamenti”, “Përtej horizontit” edhe të tjera, nën udhëheqjen e regjisorëve të rinj. Ky festival u dha mundësinë të rinjve, që jo vetëm të prekin skenën e teatrit, por edhe të shpalosin ëndrrat e tyre. Dëshira e drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, shpreh dëshirën e tij, para ministres së Kulturës, që vitin që vjen ky festival të jetë kombëtar, pse jo edhe mbarëkombëtar. Në fund të një koncerti festiv të përgatitur prej tyre, u ndanë edhe çmimet për aktorët më të mirë joprotagonistë dhe për aktorët më e mirë protagonistë. Nxënësja e shkollës “Abdulla Keta”, Xhoana Karaj vlerësohet për herë të dytë, si aktorja më e mirë në festivalin e të rinjve.

“Më kanë kapluar emocionet dhe nuk kam fjalë për ta përshkruar. Di vetëm, që kjo është ëndrra ime”, shprehet Xhoana Karaj.

Ndërsa, me çmimin për shfaqjen më të mirë u vlerësua shfaqja “Babai” me regji nga Xhuliano Brisku e shkollës “Besnik Sykja”.

 “Të gjithë janë fitues për mendimin tim. Të gjithë kemi punuar shumë, u lidha shumë me pjesën edhe shkolla më  mundësoi një bashkëpunim me nxënës që e duan aktrimin. Është shumë e vështirë për të vënë një autor, si August Strindberg, por u mundova që të prek thelbin e “Babait”. Nga kjo eksperiencë mësoi më shumë, kjo është forma më e mirë për të afruar të rinjtë me teatrin, sot që teknologjia po bombardon çdo gjë origjinale”, thotë regjisori Xhuliano Brisku.

Regjisorët e rinj që përgatitën nxënësit e shkollave të kryeqytetit, janë: Ledjan Gjeçi – “Arben Broci”, Algiona Aga – “Sami Frashëri”, Alba Shtembari – “Petro Nini Luarasi”, Deljana Topulli – “Aleks Buda”, Ledio Shehaj – “Andon Zako Çajupi”, Albi Dhima – “Qemal Stafa”, Françeska Hysi – “Ismail Qemali”, Marsel Greva – “Partizani”, Xhuliano Brisku – “Besnik Sykja”, Emiljano Bufazi – “Abdulla Keta”.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?