Ndahen çmimet kombëtare 'At Zef Pllumi', shkrimtarët Stefan Çapaliku, Ndue Dedaj dhe Eugjen Merlika shpallen fitues

26 Shkurt 2022, 15:13| Përditesimi: 26 Shkurt 2022, 15:21

  • Share

Në edicionin e gjashtë të çmimeve kombëtare letrare “At Zef Pllumi” fitues janë shpallur shkrimtarët Stefan Çapaliku, Ndue Dedaj dhe Eugjen Merlika. Juria ka marrë në shqyrtim prurjet letrare të këtij viti, duke përzgjedhur ata që meritojnë çmimin me emrin e nderuar të martirit shqiptar.

Stefan Çapaliku në prozë, Ndue Dedaj në publicistikë dhe Eugjen Merlika në memorialistikë janë fituesit e edicionit të 6-të të çmimeve letrare mbarëkombëtare "At Zef Pllumi".

Çapaliku u vlerësua për romanin "Mbyllur për pushime", Dedaj për librin e fundit me ese dhe shkrime kulturologjike "Nusja mbi kalin e vdekjes" dhe Eugjen Merlika për librin "Ravgime në shtigjet e historisë".

"Çmimi nuk e ndryshon cilësinë e veprës, vepra është ajo që është me ose pa çmim",  tha shkrimtari Çapaliku.

"Faleminderit bashkisë së Lezhës, kryetarit z.Ndreu, jurisë dhe emrit të ndritur të Az Zef Pllumit që ka tepruar bujaria e mirësia edhe për ne...", u shpreh shkrimtari Ndue Dedaj

I kthyer në traditë, ky event letrar u organizua me mbështetjen e Bashkisë Lezhë.

Nga 13 krijimet e paraqitura, botimet më te mira ne prozë, publicistikë dhe memorialistikë u përzgjodhen nga juria me kryetar shkrimtarin Preç Zogaj dhe anëtarë, studiuesi Behar Gjoka dhe botuesi Frano Kulli.

"Padër At Zef Pllumi është aset i memories kombëtare, personazh në panteonin e vlerave të kombit", u shpreh botuesi Frano Kulli 

"Çmimi At Zef Pllumi është një mënyrë një mjet që e mban të pastër këtë trashëgimi që e përcjell brezave me shndritjen që ka në thelbin e vet që nuk e lejon të zërë ndryshk" tha Preç Zogaj.

"At Zef Pllumi është një njeri që na bën nder, jo vetëm ne që jemi këtu por gjithë shqiptarëve dhe jo rastësisht në këtë konkurs kanë marrë pjesë gjithë penat më të mira të shqiptarisë, jo vetëm kanë marrë pjesë kanë shkruar monografi për At Zefin", tha Pjerin Ndreu 

Juria ndau dhe çmimin e nderit pas vdekjes për Kurt Kolën me librin "Tranzicioni neokomunist në Shqipëri".

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?