Me rastin e 101 të lindjes së eruditit, poetit, studiuesit, historianit dhe përkthyesit të shquar Vexhi Buharaja u organizua konkursi i letrar për përkthyesin dhe poetin më të mirë të vitit.
Në konkursin me ese, poezi dhe përkthime, juria e përbërë nga emra të njohur të letërsisë dhe publicistikës Ymer Çiraku, Alda Bardhuli, Aleksandër Cipa, Bujar Xhaferri , Yzedin Hima ndau çmimet për përkthyesin, poetin dhe esenë më të mirë për vitin 2021 të vlerësuar me emrin e poetit.
Për veprën letrare më të mirë në përkthim u vlerësuan shkrimtari Visar Zhiti dhe Artan Sadiku, ndërsa në zhanrin e poezisë u vlerësuan me çmim Alban Tufa, Alma Zenellari.
“Çmimi i përkthimit është një çmim i rëndësishëm. Do doja të përgëzoja Bashkinë e Beratit që e ka kthyer këtë qytet në një qendër dhe vatër të rëndësishme për skenat letrare në vend duke mbajtur gjallë kujtimin e një personazhi që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare më këtë konkurs që vërtet kishte prurje shumë cilësore. Aktivitete të tilla shërbejnë si nxitje për talentet e reja, në fushën studimore apo atë të poezive. Shpresoj që kjo veprimtari të ketë një jetë sa më të gjatë”, tha Alda Bardhyli.
Publicisti Aleksandër Çipa vlerësoi figurën e shkrimtarit “Vexhi Buharaja”.
“Është një nga referencat më të mëdha të qytetit dhe të hapësirës kombëtare për atë që ndryshe mund të konsiderohet si personaliteti që sfidoi përmes gjuhës prurjet dhe shkëmbimet e letërsisë, në dimensione të cilat sfiduan kohën”, tha Aleksandër Çipa.
Çmimi “Vexhi Buharaja” jepet çdo vit nga Bashkia e Beratit dhe institucionet e kulturës në nderim të figurës së poetit dhe përkthyesit të shquar Vexhi Buharaja i cili lindi në maj 1920 në Berat dhe që u nda nga jeta në 5 korrik 1987.