Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove mbyll siparin. 14 trupa teatrore nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi sollën shqip dhe qartë cilësitë edhe mangësitë e trupave tona teatrore.
“Vdekja” e Dantonit, me regji të Dino Mustafiq, “shfaqja më e mirë” në këtë festival ka në qendër konfliktin mes Dantonit dhe Robespjerit, sjell përplasjen mes dy qëndrimeve të ndryshme, se si duhet të jetë shteti pas përfundimit të revolucionit.
“Gomari i babatasit”, e vlerësuar si “regjia më e mirë” nga Altin Basha nëpërmjet tehut të sarkazmës fishtjane për politikanët, deputetët edhe ministrat e shkruar para 100 vitesh, vjen në kohë nëpërmjet dramatizimit të Stefan Çapalikut për çështjen më aktuale, atë të ndërtimit të Teatrit Kombëtar nga politika.
Faleminderit të gjithëve. Është kënaqësi që të dalësh pak nga Tirana, se Tirana është bërë pak e mërzitshme. U sugjeroj kolegëve që të dalin e të shkojnë në rrethe. Drejtor po të falim gabimet e këtij viti, shpresoj që t’i rregullosh vitin tjetër.
Altin Basha, regjisor
Nga “Babai” me regji të Spiro Dunit, u përzgjodh, si “aktori më i mirë” për interpretimin plot vërtetësi, Reshat Arbana, i cili bëri për vetë publikun, teksa solli botën e çoroditur të një burri të moshuar në gjendje të rënduar shëndetësore.
Faleminderit shumë, është hera e parë që në 50 vite jetë artistike marrë një çmim, të them të drejtë kam bërë një rol që më ka lodhur shumë, në këtë simbol që më jepet, sot do të kujtoj vuajtjet.
Reshat Arbana, aktor
Jo jashtë vëmendjes u la “Medea” me regji të Dimitris Mylonas, tragjedia e lashtë greke që solli një tablo të pasionit me nënshtresat edhe skutat sekrete, shfaqje që rrëmbeu disa çmime. Çmimi për “aktoren me të mirë protagoniste” ishte për Luiza Xhuvanin dhe çmimi “special i karrierës”për Roza Anagnostin.
Çmime të tjera
Çmimi “Aktori i ri më i mirë” u dha për Kristian Koroveshin, ndërsa çmimi për “Aktoren më të mirë” shkoi për Hajat Toçilla tek shfaqja “Ata që ikin”.
Çmimi “Kostumografia më e mirë”, shkoi për Sofi Kara tek “Medea”.
“Aktori joprotagonist më i mirë për” Shkëlzen Veseli tek shfaqja “Kaligula”, si dhe çmimi “Aktorja joprotagoniste më e mirë”, për Gresa Pallaska.
Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove u mbyll nga artistët me shpresën, që të kthehet në një festival të përvitshëm.
prap LUIZA XHUVANI djali i saj esht me i sjellshmi ne ter shqiperin
Përgjigju