Fred Ramsdell, Mary E. Brunkow dhe Shimon Sakaguchi

Bota

Ndahet Çmimi Nobel në Mjekësi 2025, iu jepet shkencëtarëve Mary Brunkow, Fred Ramsdell e Shimon Sakaguchi

6 Tetor, 11:38| Përditesimi: 6 Tetor, 11:59

  • Share

Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi janë shpallur fituesit e Çmimit Nobel për Mjekësi për vitin 2025. Motivacioni i çmimit lidhet me kërkimet e tyre mbi tolerancën imunitare periferike - në mënyrë të thjeshtuar, mbi mekanizmat e “kontrollit” të sistemit tonë imunitar.

"Ata kanë identifikuar “rojet e sigurisë” të sistemit imunitar, qelizat T rregullatore, duke hedhur kështu bazat për një fushë të re kërkimi. Zbulimet e tyre kanë krijuar themelet e një fushe të re studimi dhe kanë nxitur zhvillimin e trajtimeve të reja, për shembull për kancerin dhe sëmundjet autoimune. Qëllimi është të bëhet e mundur shërimi ose trajtimi i sëmundjeve autoimune, të ofrohen terapi më efektive kundër kancerit dhe të parandalohet shfaqja e ndërlikimeve të rënda pas transplantimeve të qelizave staminale", thuhet në njoftimin zyrtar. 

Fituesit u shpallën në Institutin Karolinska në Stokholm, Suedi, nga Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë së Nobelit, Thomas Perlman. Tre shkencëtarët do të ndajnë 11 milionë krona suedeze, e njëjta shumë si dy vitet e fundit, ekuivalente me afërsisht 1 milion euro.

Kush janë tre fituesit?

Mary E. Brunkow, e lindur në vitin 1961, punon në Institutin për Biologjinë e Sistemeve në Seattle.  Fred Ramsdell, imunolog, që nga fillimi i vitit 2016 ka qenë drejtor i kërkimit në Institutin Parker për Imunoterapinë e Kancerit në San Francisko që nga fillimi i vitit 2016. Ramsdell dhe ekipi i tij identifikuan proteinën Forkhead Box P3 (FOXP3) tek fëmijët e prekur nga sindroma IPEX, një sëmundje e rëndë autoimune. Ata përcaktuan gjithashtu se FOXP3 luan një rol vendimtar në zhvillimin e qelizave T rregullatore. Në vitin 2017, Ramsdell mori, bashkë me Shimon Sakaguchi dhe Alexander Rudensky, çmimin Crafoord për kërkime mbi poliartritin, për shkak të “zbulimit të qelizave T rregullatore që kundërshtojnë përgjigjet imunitare të dëmshme në artrit dhe sëmundje të tjera autoimune”.

Shimon Sakaguchi, nga ana tjetër, është imunolog dhe profesor emeritus në Universitetin e Osakës. Ai njihet kryesisht për zbulimin e qelizave T rregullatore së bashku me Ramsdell dhe për përshkrimin e rolit të tyre në sistemin imunitar. Ky zbulim përdoret sot në trajtimin e kancerit dhe të sëmundjeve autoimune.

Sa “vlen” Nobeli?

Çmimi Nobel për Mjekësi në vitin 2025, ashtu si në vitet e fundit, ka një vlerë prej 11 milionë koronash suedeze. Kjo shumë, që përkon me rreth 1 milion euro (sipas kursit aktual), financohet nga interesat e kapitalit të dhuruar nga Alfred Nobel dhe shpërndahet ndër fituesit.

Në vitin 2024, ky çmim i lakmuar iu dha Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për studimet e tyre mbi mikro-RNA. Victor Ambros, i lindur në Hanover, New Hampshire, në vitin 1953, kreu kërkimet që çuan në fitimin e çmimit në Universitetin e Harvardit, ndërsa aktualisht është profesor i Shkencave Natyrore në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Massachusetts. Babai i tij ishte refugjat lufte polak.

Gary Ruvkun ka lindur në Berkeley, Kaliforni, në vitin 1952. Punën që i solli çmimin Nobel e kreu në Massachusetts General Hospital dhe në Fakultetin e Mjekësisë të Harvardit. Çmimi Nobel për Mjekësi 2024 nderoi dy shkencëtarë për zbulimin e një parimi themelor që rregullon mënyrën se si kontrollohet aktiviteti i gjeneve. “Rregullimi gjenik” i mundëson çdo qelize të zgjedhë vetëm udhëzimet që i nevojiten: prandaj, edhe pse çdo qelizë përmban të njëjtët kromozome – pra të njëjtin grup gjenesh dhe të njëjtat udhëzime – lloje të ndryshme qelizash (si muskulore apo nervore) kanë karakteristika shumë të ndryshme.

Ata studiuan mikroRNA-të, një klasë e re molekulash shumë të vogla të ARN-së që luajnë një rol thelbësor në rregullimin e gjeneve. MikroRNA-të po tregohen jashtëzakonisht të rëndësishme për mënyrën se si organizmat zhvillohen dhe funksionojnë. Një rregullim i çrregullt përmes mikroRNA-ve, për shembull, mund të kontribuojë në zhvillimin e kancerit, dhe janë zbuluar mutacione në gjenet që kodojnë për mikroRNA tek njerëzit, që shkaktojnë gjendje si humbja kongjenitale e dëgjimit, çrregullime okulare dhe skeletike.

Deri më tani janë ndarë 114 çmime Nobel për Mjekësi; më i riu nga fituesit ishte 31 vjeç (Frederick G. Banting, në vitin 1923) dhe më i moshuari 87 vjeç (Peyton Rous, në vitin 1966); 13 prej fituesve kanë qenë gra.

Vitet e mëparshme

Në 2023, çmimi iu dha Katalin Karikó dhe Drew Weissman për zbulimet e tyre mbi modifikimet e bazës nukleozidike që “çuan në miratimin e dy vaksinave kundër Covid-19 bazuar në mRNA”. Zbulimi i tyre ishte thelbësor për luftën kundër virusit Sars-Cov-2 dhe hapi rrugën për aplikime të reja për vaksina kundër kancerit dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Në 2022, fitues ishte biologu suedez Svante Pääbo, 67 vjeç, për “zbulimet e tij mbi gjenomet e hominidëve të zhdukur dhe evolucionin njerëzor”.

“Historia” e Nobelit: italianët

I pari që fitoi këtë çmim prestigjioz në fushën e mjekësisë ishte Emil von Behring në vitin 1901, për kërkimet e tij mbi seroterapinë, veçanërisht për aplikimin kundër difterisë. Në panteonin e Nobelit për Mjekësi janë edhe disa shkencëtarë italianë: Camillo Golgi, i nderuar në vitin 1906 për intuitat e tij mbi strukturën e sistemit nervor (jo rastësisht një organ mban emrin e tij); Renato Dulbecco, që e fitoi çmimin në 1975 bashkë me David Baltimore dhe Howard Martin Temin, për sqarimin e ndërveprimeve midis viruseve onkogjenike dhe materialit gjenetik të qelizës, kontribut kyç në hartimin dhe sekuencimin e gjenomit njerëzor; dhe Rita Levi-Montalcini, e nderuar në 1986 me Stanley Cohen për identifikimin e faktorëve të rritjes qelizore (ajo zbuloi Nerve Growth Factor – NGF), që ende sot ka ndikim të madh në kërkimet në neuroshkencë./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt janë për jetën gjyqtarët dhe prokurorët?