William Webster, i vetmi person që ka drejtuar si FBI-në dhe CIA-n, ka ndërruar jetë në moshën 101-vjeçare.
Ai konsiderohet si një prej figurave më të rëndësishme të sigurisë kombëtare amerikane.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u bë publike nga vetë familja Webster.
William Webster u emërua në krye të FBI-së në vitin 1978 nga Presidenti i atëhershëm amerikan Jimmy Carter, në një kohë kur imazhi i Byrosë Kombëtare të Hetimit ishte thellësisht i dëmtuar për shkak të zbulimeve të Kongresit për korrupsion dhe përgjime të paligjshme ndaj qytetarëve amerikanë, gjatë drejtimit afatgjatë të J. Edgar Hoover.
Si gjyqtar federal i emëruar nga republikanët në shtetin e Misurit, Webster synoi të rikthente besimin publik te institucioni.
Sipas ‘The Washington Post’, një nga veprimet e tij të para ishte largimi i bustit të Hoover nga zyra e drejtorit të FBI, një akt simbolik për një fillim të ri.
Pas përfundimit të mandatit në FBI në vitin 1987, Presidenti Ronald Reagan e emëroi menjëherë në krye të CIA-s, në një kohë kur kjo agjenci përballej me krizë imazhi për shkak të skandalit “Iran-Contra”.
Edhe në këtë detyrë, Webster u përpoq të reformonte dhe të rikthente etikën në veprimtarinë e agjencisë, duke ndëshkuar zyrtarët e përfshirë në praktikat e fshehta që çuan në shitjen e paligjshme të armëve.
Mandati i tij në CIA (1987–1991) përkoi me ngjarje historike si rrëzimi i Bashkimit Sovjetik dhe Lufta e Gjirit Persik.
Media amerikane e vlerësoi lart drejtimin e tij. Washington Post shkruante se Webster “përdori reputacionin e tij për integritet për të rikthyer besimin publik në një agjenci të njollosur”, ndërsa The New York Times vlerësoi rolin e tij në CIA për rikthimin e besimit të qytetarëve te shërbimet e inteligjencës.
Komente
