Ka ndërruar jetë një tjetër legjendë e futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Paulin Ndoja. Pas Medin Zhegës, Ramazan Rragamit dhe Sabah Bizit, është shuar edhe ylli i fundit i kësaj katërshe të famshme, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në futbollin shkodran dhe atë shqiptar.
“Mjeshtri i Madh” ka mbyllur sytë në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të ndritshme në futboll. Në fakt, nëse flasim për historinë e futbollit në Shkodër, padyshim që emri i parë që të bie ndërmend është ai i Paulin Ndojës.
Për lajmi nga reaguar dhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka, pas ndarjes nga jeta të legjendës shkodrane Paulin Ndoja, duke e cilësuar atë një ikonë të futbollit shqiptar dhe një figurë me kontribut të pashlyeshëm për Vllazninë dhe sportin kombëtar. Ai ka shprehur ngushëllime për familjen dhe gjithë komunitetit sportiv shkodran.
Tjetër lajm i hidhur për futbollin shqiptar na erdhi nga Italia. Paulin Ndoja, legjenda e portës, një prej figurave më të mëdha të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, është ndarë nga jeta sot.
“Mjeshtri i Madh”, një ikonë e vërtetë e sportit, i ka dhënë shumë futbollit si lojtar për shumë vite e më pas si trajner, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat që erdhën pas. Një personalitet i madh, i cili ka dhënë një kontribut të pashlyeshëm për Vllazninë dhe për futbollin tonë.
Në emrin tim dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ndoja, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv shkodran për këtë humbje të madhe.
Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i paharruar. U prehsh në paqe legjendë!-reagimi i Dukës.
Ai lindi në Shkodër me 19-dhjetor 1945 dhe në moshë të re nis të merret me futboll, duke spikatur menjëherë. Në moshën 20-vjeçare, ai arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë, pikërisht në vitin 1965.
Më pas e dërgojnë ushtar në Skrapar dhe rikthehet sërish në Shkodër për të dhënë kontributin e tij në fitimin e titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë në sezonin 1971-1972. Një vit më vonë do ta largonin nga futbolli për arsye biografike. Në vitet ’80, do të niste detyrën e trajnerit te portierëve, të cilën do ta ushtronte deri para pesë vitesh.
Komente
