Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri

Sociale

Ndahet nga jeta Mitropoliti i Gjirokastrës Imzot Dhimitri, ishte shtruar në Janinë për një infeksioni respirator

28 Qershor, 23:01| Përditesimi: 28 Qershor, 23:17

  • Share

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë njoftoi sot ndarjen nga jeta të Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Gjirokastrës, Imzot Dhimitri. Ai u nda nga jeta në Spitalin Universitar të Janinës, pas komplikimeve shëndetësore të shkaktuara nga një infeksion respirator dhe endokardit, të cilat sollën pamjaftueshmëri të funksionit të shumë organeve.

'Me hidhërim të thellë njoftojmë për fjetjen në Zotin të Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Gjirokastrës, vëllait dhe bashkëmeshtarit tonë, Imzot Dhimitrit. Gjatë periudhës së fundit, Hirësia e Tij ishte i shtruar në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës, për shkak të një infeksioni respirator dhe të endokarditit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Hirësia e Tij nuk arriti ta mposhtte sëmundjen dhe fjeti në Zotin sot, më 28 qershor 2025, në orën 20:30, si pasojë funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve', njoftoi kisha.

Mitropoliti Dhimitri lindi në shtator të vitit 1940 në Serres të Greqisë dhe ishte diplomuar në Fakultetin e Teologjisë në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut. Në vitin 1974 u bë murg në Manastirin e Shën Ekaterinës në Malin Sinai, ku dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e paleografisë dhe sistematizimit të dorëshkrimeve të lashta.

Ai iu bashkua Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që në fillimet e saj të reja, pas rivendosjes së lirisë fetare në vend, duke shërbyer fillimisht si Protosingjel i Mitropolisë së Gjirokastrës nga viti 1994. U zgjodh Mitropolit i Gjirokastrës më 11 nëntor 2006 dhe u dorëzua episkop më 16 nëntor në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë. Ceremonia e fronëzimit të tij u mbajt në Gjirokastër më 26 nëntor të po atij viti.

Gjatë 19 viteve të shërbimit si mitropolit, Imzot Dhimitri u dallua për përkushtim të thellë, urtësi dhe vizion shpirtëror. Ai kontribuoi në ringjalljen e jetës kishtare në Shqipërinë e Jugut, duke udhëhequr ndërtimin e kishave, zhvillimin e katekizmit, veprimtarinë filantropike dhe forcimin e jetës shpirtërore të besimtarëve. Ishte gjithashtu Zëvendëskryetar i Fondacionit Arsimor “Fryma e Dashurisë”, duke ndihmuar në zhvillimin e arsimit orthodhoks në vend.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po zbatohet siç duhet rregullorja e re për plazhet publike në Shqipëri?