Kultura

Ndahet nga jeta mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijaku! Prej disa ditësh ishte i shtuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore

24 Shtator 2022, 09:02| Përditesimi: 24 Shtator 2022, 19:59

  • Share

Shuhet një nga yjet e artit shqiptar. Mjeshtri i madh i pikturës shqiptare Sali Shijaku u shua në orët e para të mëngjesit në moshën 89-vjeçare, pasi prej disa ditësh ishte në gjendje kome. Është një nga artistet e rrallë që vdiq me penel në dorë. Para pak ditësh i biri po e nxirrte në foto duke pikturuar, por sëmuret papritur. Lajmin e ndarjes nga jeta e dha sot në mëngjes i biri Orges Shijaku.

“Me Hidhërim të thellë  ju njoftojmë për Humbjen nga kjo jete të Babait tonë Piktorit të Popullit Nderit te Kombit Shqiptar Sali Shijaku. I Lehtë të qofte dheu. I kushtove gjithë jetën Artit dhe Shqipërisë”, shkruan djali i tij.

Sali Shijaku ishte një nga mjeshtërit e rrallë të pikturës. Një artist ekspresionist që u bëri sfidë edhe metodave të ngurta të realizmit socialist gjatë periudhës së komunizmit. Ai mbeti artisti i ngjyrave origjinale dhe trumfator i lirisë krijuese në art.

Homazhet në nder të artistit të njohur janë organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe do të zhvillohen ditën e nesërme në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00-12:00.

Vokacioni i artistit është të ndriçojë thellësitë e shpirtit njerëzor me dritë dhe sot mjeshtri i madh i pikturës shqiptare Sali Shijaku ndriçohet nga drita e parajsës. Sali Shijaku lindi më 12 Mars 1933 në Tiranë.​ ​

Ka përfunduar studimet në liceun artistik Jordan Misja në vitin 1952 dhe ndoqi studimet në  Institutin e Lartë të Arteve “Rjepin”, në Leningrad, sot Shën Petërburg, deri në vitin 1961. Me prishjen e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Sovjetik (Rusisë) dhe Shqipërisë, Sali Shijaku kthehet në Tiranë dhe në vitin 1962 diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. 

Në vitin 1979 nderohet me titullin “Piktor i Popullit”.Që nga diplomimi i tij e deri në ditët e sotme është një nga artistët që ka ekspozuar vazhdimisht, në ekspozita kombëtare si brenda dhe jashtë vendit. Shijaku është nga artistët më të njohur të arteve pamore në Shqipëri. Në atelienë e tij janë përgatitur dhjetra breza artistësh të cilët koontribojnë sot në skenën e artit shqiptar. 

Shijaku është cilësuar nga studiuesit si një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, Ai krijoi vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pictures shqiptare të viteve 1965 -1980. Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi I kompozimeve, një figurë shembull në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.

Tabloja e titulluar "Heronjtë e Vigut" ishte diploma e studentitShijaku, tëcilën ai e mbrojtinëvitin 1962, pas kthimitngaRusia  nëInstitutin e Arteve, Tiranë. Artisti Sali Shijaku, thotë studiuesi i arte ve Ailli Drishti, është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare.

Ekspozita e tij e parë vetjake daton në vitin 1965. Shijaku ka ekspozuar në Bienalen e Aleksandrisë (Egjipt), Rumani, Itali, Francë, Kinë, Turqi, Austri. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 92 vepra të artistit në pikturë, vizatime, qeramikë.Shijaku prej shumë vitesh jetonte ndërmjet Tiranës dhe Italisë.

Ora 18:59
Presidenti Begaj për vdekjen e piktorit Sali Shijaku: Do mbetet gjithnjë ‘Nderi i Kombit’

1664038966_bajrambegaj.JPG

Presidenti Begaj reagoi në Facebook për vdekjen e piktorit të njohur Sali Shijaku, ku tha se ai do të jetë gjithmonë “Nderi i Kombit”.

“Mësova me dhimbje lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të “Piktorit të Popullit” Sali Shijaku, i cili me emrin dhe veprën e tij prej artisti të madh dhe qytetari e intelektuali të angazhuar dhe atdhetar, do të mbetet përjetësisht “Nderi i Kombit. Ndaj sot, duke iu shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera, familjes së piktorit të madh dhe gjithë të afërmve të tij, por edhe komunitetit të artistëve shqiptarë, jam pranë tyre në këto çaste dhimbjeje të madhe. Lamtumirë artisti ynë i madh Sali Shijaku”, u shpreh Begaj.

Ora 14:54
Ndarja nga jeta e piktorit Sali Shijakut, Rama: Lamtumirë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të piktorit të njohur Sali Shijaku.

"Lamtumirë i madhi Sali Shiajku", shkruan Rama. 

Ora 14:51
Ndarja nga jeta e piktorit Sali Shijakut, Akademia e Shkencave mesazh ngushëllimi

Komisioni i Përhershëm i Artit dhe Trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave shpreh ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të Sali Shijakut "Piktor i Popullit". Ngushëllimet tona shkojnë për familjen Shijaku, komunitetin e artistëve pamorë si dhe miqtë dhe dashamirësit e shumtë të trashëgimisë së Tij pamore.

Artisti Sali SHIJAKU është pionieri i pikturës aktive, figurative, kontrastuese e plot nerv ndaj dekorit historik shqiptar të gjysmës së dytë të shek. XX. Piktura e tij, në ditët e sotme është pasuri e fryteve koloristike e ngazëllyese të dekorit të jetës së përditshme shqiptare.

Në fushën e arteve pamore personaliteti i tij artistik është i veçantë dhe i dallueshëm. Ai përfaqësohet me një krijimtari të pasur me inteligjencë figurative e shprehur përmes stilit, temave dhe ideve.  

Sali Shijaku, në artet figurative ka kërkuar vazhdimisht të trupëzojë zbulime ideo-artistike dhe, pikturës së tij të shek. XX i dha formë monumentale, duke vlerësuar personazhet, fenomenet dhe ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Pas viteve 90 – të vijoi të jetë ngulmues duke trajtuar dhe zgjidhur fenomene estetike gjatë procesit të pikturimit.

Ai krijoi një pikturë të kompozimit frontal dhe pasqyroi personazhin historik e luftarak, social dhe atë të punës, mitologjik dhe legjendar, si dhe heroin epik dhe lirik.

Në artet figurative dhjetëra vepra në pikturë të artistit Sali Shijaku janë pika kyçe të zhvillimit të strukturës së pikturës dhe historisë së artit në vendin tonë. Veprat e tij, të ekspozuara kohë pas kohe bëhen promotor frymëzimi mbi procesin e edukimit me artin ndaj brezave të rinj.

Cilësitë e mirëfillta të artit të piktorit Sali Shijaku u shfaqën gjatë kohës së studime jashtë vendit dhe talenti i tij tejkaloi të zakonshmen. Ai u shqua për thellësinë dhe gjërësinë e përfytyrimit figurativ, të cilat morën trajtë në realizimet krijues, pikturë pas pikture. Fondi i pasur i përfytyrimeve figurative të artistit filloi të krijohet nga viti 1952, me ekspozimin e pikturës së tij të parë,

 “Vajza me kostum kombëtar”, pronë e GKA, Tiranë. Në vazhdim realizoi kompozime të përzgjedhura me një figurë apo dhjetra figura, skenografi të peizazhit natyror, ikonografi portretesh, nodo ekspresive dhe pikturoi sipërfaqe me tekstura moderne nën parimet e realizmit, impresionizmit, ekspresivizmit dhe lojës së ngjyrave të pastra si: e kuqja, okrat e shumëllojshme, e kaltërta, e bardha, e zeza dhe gri.

Gjuha figurative e Sali Shijakut, hershëm dhe në ditët e sotme, ruan cilësitë vetjake, që përcaktojnë lirinë e tij krijuese, duke theksuar elementet thelbësor të formës, e cila i dha përmbajtje stilit të tij. Studimet shqiptari mbi artin e përcaktojnë besnik ndaj individualitetit dhe identitetit të vet artistik; fanatik ndaj imagjinatës dhe fantazisë mbi idetë; mbrojtës kalorsik të paletës së vet të ngjyrave të zbuluara prej përvojave të mundimshme gjatë një jete prej gati një shekulli.

Disa fakte biografike:

Sali Shijaku u lind në një familje të njohur tiranase. Nënë Deja kujdesej për shtëpinë - konak të familjes Shijaku, puna e përditshme e së cilës ishte tregtia, që e drejtonte baba Abdyli. Sali Shijaku e nisi udhën e dijes në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” dhe më pas mori mësime në Medresenë e kryeqytetit. Në vitet 1948 -1952 ndoqi Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku studioi pikturë me pedagogët dhe artistët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi.

Pas disa vitesh pune fitoi të drejtën e studimit për pikturë në Bashkimin Sovjetik, Rusia e ditëve tona. Ai kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve - Ilia Efimioviç Rjepin, në Leningrad, Shën Pjetërburgu i ditëve të sotme. Gjatë periudhës 1956 - 1961 ishte student i ateljesë së piktorit dhe profesorit Boris Vladimiroviç Joganson. Me prishjen e marrëdhënieve ndërmej PKSh-së dhe PKBS-së, u kthye në atdhe në vitin 1962. Ai u diplomua si një nga studentët e parë në ILA, Tiranë. Pas diplomimit punësohet pedagog në ILA dhe bëhet anëtar i LShASh-së.

Ai punoi si pedagog dhjetëra vite deri në 1991, si dhe ekspozoi në çdo ekspozitë kombëtare.  Para viteve 90-të punimet e tij u ekspozuan në Egjipt, Francë, Algjeri, Rumani, Kosovë, Turqi, Itali dhe Kinë. Krijimtaria e Sali Shijakut është nderuar në vitet 1955, 1970 dhe 1984 me Çmimin e Republikës. Në vitin 1969 u nderua me titullin “Artist i Merituar’’. Në vitin 1976 emri i tij zë vend si artikull vetjak në edicionin e ribotuar të “Dictionnaire critique et documentaire des Peintres, Sculptuers, Desinnatuers et Graveurs”, me autori Emmanuel Benezit.

Sali Shijaku, në vitin 1979 u nderua me titullin “Piktor i Popullit’’. Në vitin 1988 nderohet me “Urdhërin e Flamurit”, në 2004 me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës’’, në vitin 2010 Akademia e Arteve, Sot Universiteti i Arteve, e nderoi me titullin simbolik “Mirënjohje””.

Pas viteve 90-të, veprat e tij kanë zënë vend në koleksione të ndodhura në Kosovë, ShBA, Itali, Turqi etj. Gjithashtu, janë koleksionuar dhe nga Trupi diplomatik akredituar në Tiranë. Sali Shijaku ka krijuar rreth 1500 vepra dhe vazhdon të krijojë. Pas viteve 90-të ka ekspozuar nga viti 1998 e në vijim me grup artistësh. Në GKA, Tiranë, në vitin 2015 u çel ekspozita retrospektive me veprat e tij përfaqësuese që nga 1952. Ndërsa në COD, Tiranë, në vitin 2021 u hap ekspozita në nder të 88 vjetorit të lindjes së artistit me titull: “88 dritëhije dhe ngjyra”.

Ora 11:23
Ndarja nga jeta e piktorit Sali Shijaku, Veliaj: Trishtim i thellë, ia kushtoi jetën artit shqiptar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku. Në një postim në rrjete sociale, Veliaj shkruan se Shijaku ishte ikonë e Tiranës dhe një piktor i jashtëzakonshëm.

“Fort i trishtuar për ikjen e një artisti unik, si Sali Shijaku. Ai ishte ikonë e Tiranës, një piktor i jashtëzakonshëm, që ia kushtoi jetën artit shqiptar. Prehu në paqe miku i përjetshëm i qytetit tonë! Ngushëllime familjes”, thekson Veliaj.

Ora 11:20
Shuhet piktori Sali Shijaku, nesër zhvillohen homazhet në Teatri e Operas dhe Baletit

Homazhet për ndarjen nga jeta të Sali Shijakut do të zhvillohen ditën e nesërme në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00-12:00. Homazhet në nder të artistit të njohur janë organizuar nga Bashkia e Tiranës.

Ora 11:01
Ndarja nga jeta e piktorit Sali Shijaku, Basha: I la trashëgimi kulturës një arkivë të pashoqe ngjyrash dhe jete në telajo

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku. Teksa i shpreh ngushëllimet familjarëve për këtë humbje të madhe, Basha shkruan se Shijaku i ka lënë trashëgimi kulturës një arkivë të pashoqe ngjyrash dhe jete në telajo.

“Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të piktorit dhe artistit të madh Sali Shijaku. Ai i la trashëgim kulturës tonë një arkivë të pashoqe ngjyrash dhe jete në telajo. Ikja e tij nga kjo jetë lë pas një zbrazëti për familjen, miqtë dhe admiruesit e artit të tij elegant. Ngushëllime të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë komunitetin e artistëve për këtë humbje të madhe”, shkruan Basha.

Ora 10:54
Meta për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku: I shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të piktorit të njohur Sali Shijaku. Meta shkruan se ndarja nga jea e Shijakut është një humbje e madhe për të gjithë kombin. Shijaku, shkruan Meta, do të mbetet i paharrueshëm ndërsa me talentin e jashtëzakonshëm ai shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë, duke lënë pas një trashëgimi artistike.

“Një humbje e madhe për të gjithë ndarja nga jeta e Nderit të Kombit, artistit të mirënjohur, Sali Shijaku, një nga piktorët më të shquar dhe të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX.  Takimet dhe bisedat e ngrohta me të do të mbeten për mua të paharruara, siç do të mbetet galeria e pafund e veprave dhe e monumenteve të tij artistike, që lartësuan kulturën dhe artin kombëtar.

Sali Shijaku ishte piktori i njërit prej Heronjve të mi më të dashur, Vojo Kushit.  Kishte qenë vetëm 9 vjeç kur ishte zgjuar në mesnatë nga krismat e armëve dhe bombave. Kishte përjetuar edhe si dëshmitar okular një nga ngjarjet më heroike të Luftës Antifashiste, Epopenë e lavdishme të Kodrës së Kuqe. Nga ajo ditë e 7 tetorit 1942 ai jetonte me atë ngjarje dhe ëndërronte ta përjetësonte Heroin e tij Vojo Kushi.

Por kur gjithçka kishte përfunduar censura ia bllokoi pikturën sepse Vojo mbi tank ishte këmbëzbathur dhe pa këpucë. Ndaj i kërkuan artistit t'i “vishte” këpucë Heroit. Por kjo i përmbyste të gjithë veprën Mjeshtrit. Ndaj përsëri ua dërgoi pa ndryshime. "Po këpucët ku i ka?", e pyeten. "Po a nuk ka thënë Partia që Luftën e bënë këmbëzbathurit", - u përgjigj me dinakëri artisti. "Ke të drejtë, i thanë, aprovohet".

Kështu mbijetoi tabloja e famshme “Vojo Kushi”, e piktorit tonë të madh, Piktorit të Popullit, Sali Shijaku, për t'ju mbetur trashëgim brezave si një kryevepër e realizuar me mjeshtëri të rrallë që mishëron në art një ngjarje të paharruar të Luftës Antifashiste.

Me talentin e jashtëzakonshëm ai shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë, forcën shpirtërore dhe heroizmin e shqiptarit, vlerat e dashurisë për Atdheun, Kombin dhe Lirinë, si dhe një larmi figurash njerëzore.  Ai krijoi një pafundësi veprash e monumentesh artistike madhështore, siç është edhe një tjetër kryevepër e tij, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli.

Për të gjitha këto vlera dhe kontribute të jashtëzakonshme, kujtimi i Nderit të Kombit, Sali Shijaku do të mbetet i paharruar dhe trashëgimia e tij artistike gjithmonë e vlerësuar maksimalisht. Ngushëllimet më të ndjera familjes së dashur Shijaku, bashkëpunëtorëve ndër vite dhe të gjithë komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme! Të prehet në paqen e merituar”, shkruan Meta.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?