Mbreti i modës, Giorgio Armani ndërroi jetë. Ai ishte 91 vjeç. Deklarata e grupit të tij konfirmoi vdekjen: " Z. Armani, siç thirrej gjithmonë me respekt dhe admirim nga punonjësit dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërroi jetë në paqe, i rrethuar nga të dashurit e tij." Homazhet publike do të zhvillohen duke filluar nga e shtuna, më 6 shtator, deri të dielën, më 7 shtator, nga ora 09:00 deri në orën 18:00, në Milano, në Via Bergognone 59, pranë Armani/Teatro. Me vullnetin e shprehur të zotit Armani, funeralet do të mbahen në formë private.
***
Ai vetë na kishte mësuar të besonim se koha nuk do të kalonte kurrë. Giorgio Armani ndërroi jetë sot, në moshën 91-vjeçare (ditëlindjen e fundit e kishte festuar më 11 korrik). Përkrah tij ishin familja dhe Leo Dell’Orco, partneri i tij i dy dekadave të fundit.
Lajmi tronditi të gjithë, pasi Armani kishte punuar deri në ditët e fundit. Vetëm pak ditë më parë kishte njoftuar blerjen e “La Capannina”, një hap që e përshkroi si “një gjest afektiv, një rikthim tek rrënjët”. Pikërisht aty, në vitet ’60, ai kishte njohur Sergio Galeottin, që do të bëhej partneri i tij i jetës dhe i punës. Madje, pak ditë para ndarjes nga jeta, kishte miratuar vetë të gjitha veshjet e koleksionit të 50-vjetorit, i cili do të prezantohej në javën e modës në shtator.
Pak javë më parë, para 91-vjetorit, një infeksion pulmonar e kishte detyruar të shtrohej në spital dhe të pushonte në shtëpinë e tij në Via Borgonuovo, Milano, duke mos marrë pjesë, rast i rrallë, në sfilatën e qershorit. Edhe vitin e kaluar kishte kaluar një problem shëndetësor, por ishte rikuperuar dhe, vetëm tri ditë pasi doli nga spitali, përshëndeti të ftuarit pas sfilatës. Në qershorin e kaluar, megjithatë, nuk mori pjesë personalisht, por u shpreh: “Jam mirë”.
Pasuan javë të qeta: ditëlindja, e shoqëruar me urime nga gjithë bota e modës, blerja e Capannina-s, dhe mbi të gjitha, puna e tij e dashur mbi veshjet. Verën e kaloi i qetë në Forte dei Marmi, me familjen. Vazhdimisht interesohej për punën dhe miqtë, duke i nxitur ata të shkonin në vend të tij në vilën e Pantellerias, ku kalonte zakonisht verat, dhe ta informonin çdo ditë për gjithçka. Vetëm pak ditë më parë kishte pasur një shqetësim të lehtë në stomak, por asgjë që të linte të kuptohej fundin. Kishte rifilluar të hante dhe të telefononte për t’u informuar mbi gjithçka.
Sot, megjithatë, erdhi lajmi i hidhur i vdekjes së tij. Fjalët e fundit që la në rrjetet sociale ishin: “Shenja që shpresoj të lë pas është ajo e përkushtimit, respektit dhe vëmendjes për njerëzit dhe realitetin. Prej aty nis gjithçka”.
Milano, qyteti që e pa të ngjitej drejt suksesit, ka shpallur ditën e hënës, 8 shtator, ditë zie qytetare, pikërisht ditën kur do të mbahet funerali privat.
Giorgio Armani lindi në Piacenza më 11 korrik 1934, fëmija i tretë dhe më i vogli i familjes. Ishte djali më i bukur dhe më i përkëdheluri nga nëna e tij, Maria, e cila i trashëgoi ndjenjën e elegancës dhe shijen e sofistikuar. Pas Luftës së Dytë Botërore, familja u shpërngul në Milano. Jetesa nuk ishte e lehtë, por gjithsesi dinjitoze. Kreu gjimnazin dhe filloi të ndiente dëshirën për t’u kujdesur për të tjerët. Fillimisht zgjodhi mjekësinë. Anatomia, siç tregonte shpesh, mbeti një dije që do ta shfrytëzonte fuqishëm më vonë për të kuptuar se çfarë i përshtatej trupit të njeriut.
Në vitin 1953, pas tre vitesh universitet, bëri shërbimin ushtarak dhe më pas u rikthye në Milano. Nuk u ndje rehat në auditorët e fakultetit dhe në vitin 1957 nisi punë në Rinascente. Motra e tij Rosanna tashmë ishte modele dhe ai filloi nga vitrinat. Në vitin 1964, Nino Cerruti, duke kaluar rastësisht, mbeti i mahnitur nga mënyra se si Armani kishte dekoruar vitrinat dhe ia besoi një linjë veshjesh. Kështu nisi gjithçka.
Në 1975 lindi marka “Giorgio Armani”. Pikërisht atëherë ai shpiku dhe e bëri të famshëm termin “stilist”: “Nuk jam rrobaqepës. Jam një krijues stili, një stilist”, – tha ai.
Armani kuptoi se trupat e burrave dhe grave kishin ndryshuar, ndërsa veshjet kishin mbetur të ngurta. Ai çliroi xhaketat, i bëri pantallonat më të lehta dhe krijoi veshje për gratë që punonin në zyrë apo nxitojnë për të kapur një taksi. Në vitin 1980, Paul Schrader i kërkoi të dizajnonte kostumet për filmin «American Gigolò». Fillimisht protagonisti duhej të ishte John Travolta, por më vonë rolin e mori Richard Gere. Ky ishte momenti i madh i suksesit në SHBA. Vetëm shtatë vite pas themelimit të markës, në vitin 1982, Armani doli në kopertinën e revistës Time.
Nga aty e më pas, ndërtimi i një perandorie nuk u ndal kurrë: Emporio Armani, parfumet, linjat e bukurisë, hotelet, EA7, librat, filmat, syzet, muzeu “Silos”, moda e lartë Privé, apartamentet, jahtet dhe vilat e tij madhështore. Gjithçka me një vizion të qartë: një modë elegante, koherente, që nuk binte kurrë në qesharake. “Stili është elegancë, jo ekstravagancë. Qëllimi është të mos të vërejnë, por të mbahesh mend”, thoshte shpesh.
Por jeta nuk ishte vetëm triumf. Vdekja e papritur e partnerit dhe bashkëthemeluesit Sergio Galeotti, më 13 gusht 1985, e shënoi thellë. Që nga ai moment, Giorgio Armani u bë jo vetëm stilisti, por edhe sipërmarrësi që mori në dorë të gjithë perandorinë. Me përkushtim dhe sakrifica të mëdha, e ktheu atë në një nga markat më të fuqishme dhe më të respektuara në botë.
Ai refuzoi çdo ofertë blerjeje, duke ruajtur pavarësinë e markës. Vetëm vitin e kaluar kishte deklaruar: “Kompania mban emrin e krijuesit të saj dhe kjo është një lidhje që mbijeton përtej çdo shitjeje”. Për të ardhmen, gjithçka e kishte planifikuar: trashëgimia stilistike do të mbetet në duart e mbesës së tij Silvana Armani dhe partnerit të tij Leo Dell’Orco, gjithçka e rregulluar përmes Fondacionit Armani.
Me të dy, ai doli për të marrë duartrokitje në shfaqjet e tyre të fundit. Duartrokitje që i donte, i kërkonte, i meritonte. Edhe kur mund të bënte pa to për shkak të dashurisë së tij, viteve të tij, suksesit të tij, parave të tij, famës së tij, pallateve të tij, anijeve të tij...
“Pse duhet të ndalem ose ‘të mos më interesojë’”, u përgjigj ai vitin e kaluar në Paris. “Unë jam puna ime; nëse do ta bëja këtë, do të thoshte se nuk më interesonte vetja ime”. Dhe vërtet, ai mbeti i tillë deri në frymën e fundit./Corriere della Serra
Komente

Respekte per armanin rraca jon shqiptare shkodrane si emigruan ne kohe te turkut
PërgjigjuNgushéllime ! Giorgio Armani nje ikone e madhe qe i mungon njerezimit
Përgjigju