Emilio Fede, një nga figurat simbol të televizionit italian, ka ndërruar jetë ditën e martë në moshën 94-vjeçare.
Lajmi është konfirmuar nga vajza e tij, Sveva, për gazetën Corriere della Sera.
Gjendja shëndetësore e Fede ishte përkeqësuar ndjeshëm në ditët e fundit. Prej kohësh ai ishte i shtruar në qendrën e kujdesit “San Felice” në Segrate, pranë Milanos.
Fede ishte një nga figurat më të njohura të televizionit italian. Karrierën e nisi në vitet ’60 në RAI si gazetar lufte, për të vijuar më pas si drejtor i edicionit informativ TG1. Në vitet ’90 ai iu bashkua grupit mediatik Fininvest, ku Silvio Berlusconi e vendosi në krye të TG4.
Nga viti 1992 deri në 2012, edicioni informativ që drejtonte u bë zëri më hapur pro-Berluskonit në televizionin italian, një model që u dashurua dhe u kundërshtua me të njëjtën forcë. Me stilin e tij të komentimit të theksuar emocional dhe editorialet dramatike, Fede u bë një figurë e pazëvendësueshme e ekranit.
“Jam drejtori më i kritikuar, por edhe më i ndjekuri”, deklaronte ai vazhdimisht.
Karriera e tij pësoi një ndërprerje të menjëhershme në vitin 2012, kur u largua nga Mediaset pas përfshirjes në çështjen e njohur si “Ruby”.
Periudha e fundit e jetës së tij u shënua thellësisht edhe nga humbja e bashkëshortes së tij, Diana De Feo, gazetare dhe më pas deputete e Forza Italia. Humbja e Dianës ishte, siç e përshkroi vetë ai, “dhimbja më e madhe” e jetës së tij.
Ata u martuan në vitin 1963 dhe qëndruan bashkë për gati gjashtë dekada. Diana ndërroi jetë në qershor të vitit 2021, duke e lënë Feden të ve pas një jete të ndarë mes qyteteve, por me një lidhje të pandërprerë.
Kujtojmë se dy javë më parë, u nda nga jeta edhe një tjetër ikonë e televizionit italian, prezantuesi Pippo Baudo.
Komente

Po ikin te gjithe figurat madheshtore me te cilet kishim fatin te njihnim Perendimin menjehere pas hapjes se Shqiperise. Emilio ishte tek Rete 4. Aq te uritur ishim sa shihnim cdo gje nga Mediaset, RAI dhe nga kanalet lokale si Tele Norba qe na kapte antena. Ka jetuar sa ka dashur ne fakt, ngushellime familjes dhe miqve te tij.
PërgjigjuIken ato kohe o Eri. Keto figura kane bere historine dhe sollen ndryshime kudo. Tashme na kane ngelur vetem te silikonizuarat e trupeshket qe po shkaterrojne cdogje