Bashkëshortja e futbollistit të madh Selman Stermasi, Nezihat Stermasi është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 102-vjeçare.
E njohur si “Zonja Tirona”, Nezihat Stërmasi jetoi gjithë jetën e saj si mishërim i femrës tiranase. Ajo njihej si e palodhur, mikpritëse, e dashur, përherë buzagaz dhe ka pritur e përcjellë me mijëra qytetarë, futbollistë, njerëz që kanë jetuar në të njëjtën kohë me Selman Stermasin gjatë gjithë këtyre viteve.
Ishte mjaft e vogël, vetëm 14 vjeçare, kur e njohu Selman Stërmasin nga hyrje daljet familjare të dy shtëpiave, të cilat kishin miqësi të vjetër bashkë. Në vitin 1936 fejesa midis Nezihatit dhe Selmanit u shpall. Ai ishte në kulmin e tij. Ishte kampion absolut i Shqipërisë me Tiranën në futboll, por dhe në atletikë. Mbas një fejese të gjatë 3 vjeçare ashtu siç e kërkonte tradita u martuan më 1939-të.
Dasma e Selmanit me Nezihatin pa mëdyshje është nga të parat dasma që është filmuar me video në Shqipëri. Paja e Nezihatit ishte porositur e gjitha për merak në Vjenë tek i vëllai Maliq Petrela, i cili studionte atje asokohe. Në vitin 1940 Nezihati u bë nënë e një vajze, të cilës iu dedikua me gjithçka mbarte shpirti saj rinor. Në këto vite, Selmani ishte në kulmet e karrierrës si trajner dhe i kishte dhuruar futbollit italian mjeshtra si Lushta e Kryeziu.
Zonja shekullore e Tiranës mbylli sytë sot natyrialisht. Për të gjithë ata që duan ti bëjnë nderimet e fundit, varrimi do të bëhet nesër në 2 prill nga rezidenca “Alba” në orën 12:00.