Ozzy Osbourne

VIP & Spektakël
Bota

Ndahet nga jeta Ozzy Osbourne, legjenda e heavy metal! Sfidoi Parkinsonin nga skena, dy javë më parë shfaqja e lamtumirës

23 Korrik, 00:11| Përditesimi: 23 Korrik, 06:58

  • Share

Të largohesh pasi ke përshëndetur botën me një koncert të pakrahasueshëm, një lamtumirë vërtet unike, po aq unike sa ishte Ozzy Osbourne në librin tashmë të gjatë të historisë së rokut. Po, ai u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, vetëm 17 ditë pas homazhit gjigand që iu bë në Birmingham, vendlindjen e tij, pothuajse nga të gjithë të mëdhenjtë e tjerë të metalit botëror, zhanrit që ai në thelb e krijoi me Black Sabbath në fund të viteve '60.

Po, Metallica, Guns’N’Roses, Anthrax, Slayer, Pantera dhe shumë të tjerë, të gjithë të bashkuar rreth një Ozzy-je tashmë shumë të dobët, sepse të gjithë i detyroheshin diçka kumbarit të heavy metal-it. Dhe fakti që Ozzy nuk ishte aspak mirë, ishte bërë e qartë që në shfaqjen madhështore, por të trishtë, në Villa Park, stadiumi i ekipit të tij të zemrës, Aston Villa. I munduar, thuajse i shkatërruar nga sëmundja e Parkinsonit që e kishte goditur pesë vite më parë dhe që tashmë e kishte detyruar të anulonte turnetë dhe koncertet.

I ulur në një fron, me zërin që i dridhej, Ozzy, vetëm dhe më pas me Black Sabbath që ishin ribashkuar, i preku të gjithë, 42 mijë njerëzit në stadium dhe miliona online, me interpretimin e tij të zhveshur nga çdo maskë, të mbushur me dhimbje. Ndoshta duke e ndier në shpirt se nuk i kishte mbetur më shumë kohë. Një mbyllje rrethore, simbolike, në Birminghamin që edhe sot është i zhytur në frymën e klasës punëtore ku filloi gjithçka, në lagjen me tulla të kuqe të Aston , vetëm pak hapa larg vendit të shfaqjes së madhe. 

“Nëse nuk do të isha bërë këngëtar, do isha bërë hajdut, sigurisht jo punëtor fabrike si babai im,” na rrëfeu vite më parë. Pas disa vjedhjeve të vogla që e çuan në një qendër riedukimi dhe ca lekëve të fituara duke parkuar makina në mënyrë të paligjshme para Villa Park-ut, kthesa e madhe ndodhi në vitin 1968, kur takoi Tony Iommi. Ai nuk mund ta duronte në fillim, por pranoi se filloi të dilte me të "vetëm sepse ai kishte një amplifikator".

Me flokët e gjatë, siç ishte moda e kohës, dhe një zë të zjarrtë, nisi legjenda e Black Sabbath: përtej Led Zeppelin , të cilët kishin shpërthyer në atë kohë, sepse me ato tinguj të fuqishëm dhe me imagjinatën e errët që niste që nga emri, në nder të ADN-së industriale të Birminghamit, me albumin e tyre debutues dhe pastaj kryevepra si “Paranoid”, “Master of Reality” dhe “Sabbath Bloody Sabbath”, Ozzy dhe Sabbath hodhën themelet e Heavy Metal-it.

Dhe për të gjithë, Ozzy u bë shumë shpejt “The Prince of Darkness”, Princi i Errësirës, duke e ngritur standardin e teprimit shumë më tej se kushdo tjetër: kokainë, alkool pa fund, festa legjendare para dhe pas koncerteve.

Një sjellje e çmendur që lodhi shpejt pjesëtarët e tjerë të grupit: e përjashtuan në fund të viteve ’70 dhe Ozzy mbeti vetëm. I zhytur në obsesione maniako-depresive, por në jetën e tij mbërriti engjëlli shpëtimtar, Sharon Arden, vajza e menaxherit të Sabbath. Dhe, pasi e ndihmoi me vështirësi të shërohej nga varësia ndaj drogës, Sharon u kthye në gruan-menaxhere-nënën (në disa raste edhe në shefe dominuese) e Ozzy-t. Duke e shoqëruar në karrierën e tij të ardhshme si solist: një zgjedhje e suksesshme, sepse edhe pse më pak ekstrem se me Sabbath, edhe si solist Ozzy arriti të shesë miliona disqe.

Dhe në fillim të viteve 2000, duke e bindur atë të luante në një sitcom,  "The Osbournes", i cili u bë shpejt jashtëzakonisht popullor: një rok-roker në moshë që kishte dalë në pension të parakohshëm, Ozzy u shfaq duke u marrë me faturat, mbeturinat dhe qentë, së bashku me dy fëmijët e tij Kelly dhe Jack (vajza e tij e madhe, Aimee, refuzoi të merrte pjesë) dhe gruan e tij gjithmonë të pranishme, Sharon. Një popullaritet i rifreskuar, por që për Ozzy-n ishte dukshëm i ngushtë, siç e pranoi vetë, duke thënë se e kishte bërë vetëm për t’i bërë qejfin Sharon-it. Dhe ai e rifilloi karrierën e tij: së pari vetëm, pastaj me Sabbath të ribashkuar, deri në diagnozën e tij shkatërruese në vitin 2020. 

I rënduar nga sëmundja dhe probleme të pafundme fizike, dhimbje shpine që nuk e lejonin të ngrihej nga karrigia dhe duke paguar çmimin e të gjitha çmendurive të rinisë, arriti viti i kaluar. Me idenë pikërisht të një koncerti të fundit, sërish me Sharon-in në regji: një ide që funksionoi, siç u pa më 5 korrik, por që kishte në vetvete të gjithë përbërësit e fundit. Po, Ozzy ndërroi jetë me madhështi , ashtu siç jetoi gjithmonë./Corriere Della Sera

SI.E./Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Olti: 23/07/2025 01:22

    I madh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?