Sociale

Ndahet nga jeta Papa Françesku/ Bien këmbanat e Katedrales së Shkodrës, flamuri i Vatikanit në gjysmështizë

21 Prill, 14:05| Përditesimi: 21 Prill, 14:35

  • Share

Sot në orët e para të mëngjesit, mbarë bota u trondit nga lajmi i ndarjes nga jeta të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, i cili kaloi në amshim rreth orës 07:35. Në shenjë zie dhe lutjeje, në qytetin e Shkodrës bien këmbanat e Katedrales, ndërsa flamuri i Vatikanit është ulur në gjysmështizë. Në zemer  te katedrales është vendosur fotografia e Papës, si një homazh i heshtur për udhëheqësin shpirtëror që preku zemrat e miliona besimtarëve anembanë globit.

Menjëherë pas marrjes së lajmit për kalimin në amshim të Papa Françeskut, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë zhvilloi një konferencë për mediat, ku u shpreh dhimbja dhe mirënjohja për jetën dhe shërbimin e Atit të Shenjtë.

Përfaqësuesit e Konferencës përkujtuan muajt e fundit të sprovës shëndetësore të Papës dhe përkushtimin e tij për të qëndruar deri në fund pranë besimtarëve. Ai nuk u tërhoq as në ditët e Pashkës, kur zgjodhi të japë bekimin “Urbi et Orbi”, i cilësuar si testamenti i tij i fundit shpirtëror.

Një vend të veçantë në fjalën e ipeshkvijve zuri vizita e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator 2014, e para në një vend evropian pas zgjedhjes së tij si Papë. Gjatë asaj vizite, ai përcolli mesazhe të thella për paqen, vëllazërinë dhe kujdesin ndaj më të pambrojturve, vlera që udhëhoqën gjithë pontifikatin e tij.

Po ashtu, duke filluar nga mbrëmja e ditës së sotshme, të organizohen momente lutjeje dhe përshpirtje në të gjitha komunitetet e besimtarëve dhe këmbanat të bien në shenjë zie.”

Shqipëria, një vend që Papa Françesku e quajti “tokë dëshmorësh dhe shprese”, i jep sot lamtumirën njërit prej figurave më të përulura dhe njerëzore që ka njohur Kisha Katolike në kohët moderne.

H.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?