Shkrimtari Bardhyl Londo

Prej 10 ditësh në reanimacion, humb betejën me sëmundjen e rëndë shkrimtari dhe ish deputeti Bardhyl Londo, ndërron jetë në moshën 74-vjeçare! Homazhet nesër te Kuvendi

18 Shkurt 2022, 10:11| Përditesimi: 18 Shkurt 2022, 17:19

  • Share

Ndahet nga jeta shkrimtari Bardhyl Londo në moshën 74-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Prej dy muajsh ishte i shtruar në spitalin Onkologjik në Tiranë. Gjatë 10 ditëve të fundit për shkak se situata e tij ishte përkeqësuar, është mbajtur në reanimacion, ku edhe dha frymën e fundit.

Akademia e Shkencave pas marrjes së lajmit të hidhur e ka nderuar Bardhyl Londo me një minutë heshtje. Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësues i Partisë Demokratike. Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi. Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai bënte shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike.

Siç thonë miqtë e tij për “Report tv” gjendja e poetit Bardhyl Londo ishte rënduar pas një ndërhyrje që kishte bërë mbi tre vite më parë si dhe disa sëmundje bashkëshoqëruese. Pranë në këto momente të vështira i janë gjendur 2 vajzat, ndërsa bashkëshorten , të cilës i dedikoi poezitë e dashurisë, e ka humbur pak vite më parë. Gjatë dy viteve të fundit përpos situatës shëndetësore, edhe pandemia është bërë shkas që të bënte një jetë më të mbyllur. Homazhet do të mbahen nesër nga Kuvendi i Shqipërisë

Bardhyl Londo ka lindur në vitin 1948 në Përmet. Studioi për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.Në Çmimet Kombëtare të Letërsisë, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ministria e Kulturës më 2021, ai fitoi vlerësimin për vëllimin poetik “Prill i hidhur” si vepra më e mirë poetike.

Ora 11:25
Ndarja nga jeta e Bardhyl Londo, Basha: La pas një kontribut të jashtëzakonshëm si deputet i PD, me fat që muajit e fundit shkëmbenim ide

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe ish-deputetit të Partisë Demokratike, Bardhyl Londo.

Basha ka rikujtuar përmes mesazhit të tij ngushëllues kontributin e shkrimtarit në Partinë Demokratike, ndërsa ka shprehur se ka pasur nderin të shkëmbenin ide muajit e fundit.

“Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të mikut tim, shkrimtarit, politikanit, frymëzuesit të shumë brezave Bardhyl Londo.

Bardhyl Londo i përket atij brezi intelektualësh shqiptarë që talentin dhe identitetin e tyre kulturor e lidhën fort me fatet e vendit dhe shoqërisë shqiptare.

Poeti i njohur la pas vepra dhe vlera si rrallëkush këto 30 vite në demokraci. Ishte fat për mua ta kisha pranë dhe përgjatë muajve të fundit të shkëmbeja me të ide dhe mendime të një diapazoni të gjerë siç dinte veç ai.

Ai dha një kontribut të  jashtëzakonshëm si deputet, anëtar Kryesie, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Bardhyl Londo ishte frymëzuesi i madh i ndryshimit në vitin 1990 dhe poezitë e tij për demokracinë ishin refren i shumë shesheve ku u zhvilluan mitingjet e para të Partisë Demokratike.

Ai vazhdoi të ishte krijues i talentuar, intelektual i angazhuar dhe një veprimtar i rëndësishëm i Partisë Demokratike deri në fund të jetës së tij.

Largimi i tij është një humbje e madhe jo veç për familjen e tij por dhe për kulturën, artin dhe politikën shqiptare.

Me ikjen e tij, Shqipëria ka humbur prej qytetarisë dhe urtësisë se tij një zë që dëgjohej me respekt. Familja ka humbur bashkëshortin, babain dhe shtyllën e urtë të saj.

Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike, i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të thella për largimin nga kjo jetë të Bardhyl Londos!

Shpirti i tij u prehtë në paqe!”, shkruan Basha.

Ora 11:13
Ndarja nga jeta e shkrimtarit Bardhyl Londo, Meta: Do kujtohet përherë me respekt, humbje e pazëvendësueshme për letërsinë

Për ndarjen nga jeta të poetit dhe shkrimtarit të njohur Bardhyl Londo, ka reaguar presidentin i vendit, Ilir Meta.

Ai shprehet se Londo do të kujtohet përherë me respekt, veçanërisht për vargjet frymëzuese që na la trashëgim të gjithëve, ndërsa ka kujtuar edhe një prej poezive të shkrimtarit “ Atdheu është dhimbje”.

“Me shumë trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të poetit dhe shkrimtarit të njohur, Bardhyl Londo, intelektualit aktiv dhe ish-deputetit të Partisë Demokratike.

Një për familjen, miqtë, kolegët dhe letërsinë shqiptare, ku spikati me talentin e tij të veçantë.

Ngushëllimet më të ndjera!

Bardhyl Londo do kujtohet përherë me respekt, veçanërisht për vargjet frymëzuese që na la trashëgim të gjithëve.

ATDHEU ËSHTË DHIMBJE!

Atdheu s'është sa sedilja e makinës tënde,

sa karrigia e zyrës,

sa dhoma komode

A më dëgjon,

ti që me flamur të ri u gdhive në mëngjes,

për ta ndryshuar, ndoshta, prapë në mbrëmje?

Atdheu s'është lojë kalamajsh.

Atdheu është dhimbje.

O Zot,

Dhembje!”, shkruan Meta.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?