Personalitet i kulturës shqiptare në të dy kohët, që sprovoi krijimtarinë e tij në disa gjini të letërsisë, shkrimtari Naum Prifti është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I larguar nga Shqipëria prej vitit ‘92, Prifti, kontribuoi si ish-sekretar i shoqatës “Vatra” për 15 vjet, pas të vëllait Peterit. Ndonëse krijimtaria e tij si dramaturg u shënjua nga masa 10-vjeçare për riedukim pas dramës “Rrethimi i bardhë”, në ’64-ën, ai arriti të pasuronte repertorin e tij me një sërë veprash të suksesshme, deri edhe libretin e baletit “Bijtë e shqipes”.
Motivet e tregimeve të Priftit ishin ndjellëse për mjeshtrit e kinematografisë, ai ka punuar për disa skenarë si “Era e ngrohtë e thellësive”, “Kush vdes në këmbë” apo “Fejesa e Blertës”. Me përrallat për fëmijë si “Pika e ujit” frymëzoi edhe për filmat e parë vizatimorë. Me një kontribut të vyer edhe në fushën e përkthimit, Prifti ka vijuar të shkruajë deri në vitet e fundit të jetës, pa e ndarë Shqipërinë nga subjektet e tij.
Prifti në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka folur edhe për debatin e ndalimit të veprave artistike propagandistike të sistemit komunist, ai është shprehur se gjatë atyre 46 viteve është bërë një punë e konsiderueshme për të zhvilluar artin në vend në të gjitha gjinitë.
Të ndjekim shembullin e vendeve si Italia dhe Gjermania, që kaluan diktaturën fashiste dhe naziste. Pra mund të hiqen disa, por jo të gjitha. Sa për artistët e rinj, konfirmimi vjen me punë jo duke mohuar vlerat e paraardhësve” është shprehur shkrimtari.
Kush ishte Naum Prifti?
Naum Prifti i lindur në Rehovë, Kolonjë, më 7 mars 1932, ku ka kryer shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes.
Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (Neë York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.
Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, Neë York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe "Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të".
Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini : tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.
Tregimi : “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005. Autori pranohet anëtar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.
Komente

Vetem nje Naum Prifti ka ne bote,nuk vine me figura te tilla.
PërgjigjuNderim profesorit tim!
PërgjigjuNgushellim, por mos te harrojme se kemi ndertuar nje sistem te tille ne shqiperi qe e detyroi shkrimtarin e madh te largohet. Ose me gjuhen e thjeshte e kemi debuar nga shqiperia dhe tani po na vjen keq.
Përgjigju