Autoritetet greke ndalën përkohësisht zhvarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë në Përmet për shkak të temperaturave të ulëta dhe terrenit të vështirë. Në fushën e futbollit të moshave, grekët pretendojnë të gjejnë eshtrat e 1 mijë ushtarëve të rënë në luftën italo-greke.
Procesi i zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve grekë në fushën e futbollit të Përmetit është ndalur përkohësisht. Kjo për shkak të terrenit të vështirë dhe temperaturave disa gradë nën zero.
Në fund të muajit dhjetor përfaqësues të ardhur nga Greqia inspektuan territorin që shërben si aneks stërvitjeje për ekipet e moshave, përmes teknikës së avancuar lazer identifikuan eshtrat e trupave të varrosura në fushë.
Deri më tani janë rikuperuar 15 eshtra të ushtarëve grekë. Sipas specialistëve nga Greqia bëhet me dije se në territorin e ndërmjetëm mes stadiumit dhe terrenit që është përbri tij, mendohet se janë varrosur gjatë viteve 1940-1941 në konfliktin italo-grek gati 1 mijë ushtarë.
Autoritetet tona kanë vënë në dispozicion punonjësit e shërbimeve publike të Bashkisë Permet për të zhvarrosur eshtrat. Në punën e nisur një javë më parë, vështirësi janë hasur për zhvarrosjen e eshtrave për shkak të thellësisë, që shkon deri në 2.3 metra.