Zëvendësministri i Bujqësisë, Roland Kristo foli në Report Tv për ndalimin e peshkimit në liqenin e Ohrit, Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit. Kristo në një lidhje për ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu shpjegoi se kjo masë merret çdo vit në të njëjtën periudhë kohore, pasi është koha e shtimit të llojeve të ndryshme të peshqve.
“Urdhër që del çdo vit, i lidhur me periudhën e shtimit të specieve të caktuara. Në muajin nëntor deri në fund të muajit shkurt nxorëm ndalimin e peshkimit për koranin. Në fillim të muajit prill kemi nxjerr urdhrin për ndalimin e peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe më pas për liqenet e tjera”, tha Kristo.
Zv.ministri thotë se ngrihet një Taskë-Forcë e posaçme për të monitoruar nëse kjo masë zbatohet në këto liqene.
“Në liqenin e Shkodrës, Prespës, Ulzës, ka organizata e menaxhimit të peshkimit, nga ana tjetër është inspektorati i peshkimit, që në këtë periudhë punon me një task-forcë që është me e përqendruar për ndjekjen në vazhdimësinë. Urdhri i ministrisë i ngarkon me detyrat për zbatimin, në bashkëpunim edhe me Policinë.
Është periudha e shtimit, në këtë periudhe është e ndaluar aktiviteti i peshkimit se nuk mund të peshkohen riprodhuesit. Ka një periudhë për çeljen e vezëve dhe larvat që krijohen të cilat qëndrojnë në fazën e parë afër bregut dhe më pas largohen. Kjo nuk është masa e vetme”, u shpreh zv.ministri.
Ai shpjegon se kjo masë merret me qëlllim që të mos rrezikohet gjallesat ujore në periudhën e tyre të shtimit, ndërsa tha se merren edhe masa të tjera nga Ministria e Bujqësisë për shtimin artificial për peshq të caktuar, si korani.
“Kemi dy qëllime për koranin, ndalohet aktiviteti i peshkimit, nga krahu tjetër grumbullojmë vezët e koranit dhe bëjmë shtimin artificial. Po kështu në liqenin e Prespës për krapin”, tha ai.
Në liqenin e Ohrit, Prespës, Fierzës, Ulzës dhe Shkopetit peshkimi është i ndaluar nga data 20 prill deri më 31 korrik.