Vjosa Osmani dhe Anu Prattipati

Kosova & Rajoni

Ndalimi i serbëve në Kosovë, Osmani takohet me të Ngarkuarën me Punë të SHBA! Presidenca zbardh diskutimet

7 Prill, 15:09| Përditesimi: 7 Prill, 15:12

  • Share

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua këtë të hënë me të Ngarkuarën me Punë të ambasadës së SHBA, Anu Prattipati, ku diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën e sigurisë në vend dhe rajon. Takimi i tyre vjen pas ndalimit të 16 serbëve në Kosovë.

Presidenca ka zbardhur takimin, ku thotë se Osmani dënoi tendencat e Serbisë për të destabilizuar vendin dhe rajonin me veprime të koordinuara me grupe kriminale serbe. Osmani tha se Kosova nuk duhet të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve të saj.

“Osmani diskutoi me Prattipatin për arrestimin e djeshëm të qytetarëve serbë në Gjakovë dhe në Prizren, të cilët pretendonin se ndodheshin në pelegrinazh. Porse, hetimet e deritashme kanë treguar se këto grupe kishin ndërlidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Osmani diskutoi gjithashtu me diplomaten amerikane rreth bashkëpunimit të vazhdueshëm me SHBA në këtë drejtim.

“Presidentja po ashtu e njoftoi znj. Prattipati edhe për hapa të tjerë konkret që do të ndërmarrë, brenda kompetencave të saj kushtetuese, për ta thelluar aleancën strategjike me SHBA-të, dhe për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës.”, njofton presidenca.

Kujtojmë që autoritetet kosovare ndaluan 16 serbë në Kosovë. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha të dielën se ndalimi i tyre u bë gjatë një operacioni të zhvilluar në dy ditët e fundit, duke shtuar se të ndaluarit po udhëtonin me katër automjete të ndara me targa nga Kragujevci.

Sveçla tha të dielën se, sipas të dhënave fillestare, dyshohej se këto grupe “kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”.

Katër prej tyre u lanë këtë të hënë në një muaj paraburgim nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për shkelje të ligjit të armëve. Në një njoftim për media, Prokuroria tha se të dyshuarit kishin mbajtur armë të ftohta gjatë vizitës së tyre në disa nga Manastiret Ortodokse në Kosovë të shtunën.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?