Ndalimi me shumë bujë i dy vëllezërve Seferi/ Si ndodhi plagosja e katërfishtë, pak pasi u larguan tre të mitur

30 Gusht 2019, 18:47| Përditesimi: 30 Gusht 2019, 18:53

  • Share

Arrestimi në Mamurras i Arben dhe Astrit Seferit në 17 korrik 2019 është bërë pas një plagosje të katërfishtë në dëm të katër personave që ndodheshin në një kafene të quajtur “Arlind” në Tiranë.

Ndalimi me shumë bujë i dy vëllezërve nga policia, është realizuar në kushte të vështira pasi vëllezërit fillimisht kanë shfaqur rezistencë ndaj uniformave, të cilat janë detyruar të qëllojnë disa herë në ajër, duke bindur dy vëllezërit që të mos bëjnë asnjë rezistencë dhe të dorëzohen. Dy ditë pas arrestimit gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ta, dhe se për momentin çështja në ngarkim të tyre është në gjykim e sipër për akuzën e “Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara" të mbetur në tentativë dhe në bashkëpunim si dhe "Mbajtje pa lejë e armëve luftarake". Sipas vendimit të caktimit të masës së sigurisë “arrest në burg” kundër Arben Seferit thuhet se në datën 29 shtator 2017 rreth orës 17:00,në ambientet e Bar-Kafe "ARLIND", në pronësi të Nikë Leka, janë plagosur me armë zjarri Eljon Leka, Avni Byberi, Bujar Mrishaj dhe Bledar Gosturani, të cilët kanë qenë në ambientet e lokalit të lartë përmendur. Më pas Eljon Leka, Avni Byberi, Bujar Mrishaj dhe Bledar Gosturani janë dërguar në Spitalin Universitar të Traumës Tiranë. Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur Ermal Leka, i cili ndër të tjera ka shpjeguar se më datë 29 shtator 2017, rreth orës 17:30 ka zbritur nga shtëpia për te lokali i tij, ku në ambientet e lokalit kishin qënë Eljon Leka, Avni Byberi, Bujar Mrishaj dhe Bledar Gosturani, të cilët kishin qënë duke luajtur shah.

Kur ka shkuar tek lokali ka takuar vëllain e tij, i cili kishte qënë në këmbë, Erjoni i kishte thënë se pak më parë, para lokalit kishte kaluar me makinën e tij tip benz “C class 220”, me ngjyrë gri Arben Seferi. Erjon Leka i kishte zënë rrugën pasi dhe para 3 ditësh në “Hotel AML” në rrugën dytësore që të dërgon tek QTU-ja, Arben Seferi kishte debatuar me Erjon Leka. Gjatë kësaj kohe Ermal Leka ka qënë duke pirë kafen tek lokali dhe për një moment është shkëputur për të kapur topin e 3 kushërinjve të vegjël të tij. Në këtë moment i ka dërguar në shtëpi se kishte patur frike se mos i shtypte makina. Kur ka qënë rreth 20 metra larg lokalit, ka dëgjuar fillimisht një të shtënë dhe më pas ka dëgjuar disa të shtëna të tjera, në këtë moment ka vrapuar drejt lokalit dhe ka parë makinën “Mercedes Benz”, ngjyre gri, “C Clas 200”, ku ka vënë re se shoferi ishte Arben Seferi, i cili kishte nxjerrë dorën jashtë dhe në dorë mbante një pistoletë dhe më pas ka futur dorën dhe është larguar me shpejtësi. Në vendin e parë Ermal Leka ka parë Astrit Seferin, i cili ndodhej në vendin e parë, ndërsa në pjesën e pasme Erjon Leka, shpjegon se kishte qenë dhe një person tjetër por që e kishte parë si siluetë.

Në këqyrjen e vendit të ngjarjes, veprim hetimor i shoqëruar dhe me fotografitë kriminalistike të nevojshme, përveç të tjerash janë sekuestruar me cilësinë e provave materiale 10 gëzhoja formë unazore me kapsolla të goditura, dy tampona steril ku janë mbartur lëndë e kuqe si ajo e gjakut, pjesë predhash etj si dhe në një kohë të dytë janë administruar dhe aktet Mjeko-Ligjore për secilin nga të katër të dëmtuarit, ku dy prej tyre kanë rezultuar si plagosje të rënda dhe dy si plagosje të lehta.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?