Gjykatesi Nake Georgiev

Ndalohet një gjykatës mbi dyshime për marrje rryshfeti në Shkup

21 Maj, 22:17| Përditesimi: 21 Maj, 22:24

  • Share

Zyra për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin e Prokurorisë Themelore Publike në Shkup hapi të martën një procedurë për hetime të mëtejshme që do të përcaktonin masën ndaj një gjykatësi të Gjykatës së Lartë, i cili është ndaluar nën dyshimet për marrje ryshfeti.

Edhe për një person tjetër ekzistojnë dyshime për veprën penale të pranimit të rryshfetit, sipas Kodit penal të Maqedonisë së Veriut. Ndonëse prokuroria as autoritetet policore nuk japin emra, një pjesë e medias duke u mbështetur në burime brenda gjykatave dhe policisë thonë se gjykatësi i akuzuar dhe ndaluar është Nake Georgiev, i cili thuhet se ka marrë dhjetë mijë euro ryshfet nga një person dhe se policia i ka gjetur menjëherë paratë tek gjykatësi.

Personi i dytë, sipas medias në Shkup, është Ixhet Mehmeti, anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë. Këta të dy kërkonin para kundrejt premtimeve për t’ia lehtësuar gjendjen ish-kryetarit të komunës së Novo Sellës, Boro Stojçev i ndodhur në paraburgim, nën akuzat për kontrabandë me drogë. Djali i këtij të fundit e ka denoncuar në polici kërkesën e gjykatësit për ryshfet.

Policia maqedonase e ndaloi të hënën në mbrëmje gjykatësin Georgiev në çastet e kryerjes së veprës penale, sipas një komunikate të autoriteve të rendit. Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor në mesnatë e miratoi vendimin për t’ia hequr atij imunitetin e gjykatësit dhe për ta larguar nga detyra. Më pas janë bërë bastisje në ambientet e Gjykatës së Lartë dhe në shtëpinë dhe zyrën e të dyshuarit të dytë, i cili dyshohet se ka pasur ndikim në kërkesën e ryshfetit.

Prokuroria Themelore thekson se në bazë të dëshmive të mbledhura dhe kontrolleve të bëra ka argumente për të propozuar masën e paraburgimit për të dyshuarin e parë (Nake Georgiev), ndërkohë që për të dyshuarin e dytë (Ixhet Mehmeti) deri në këto çaste nuk ka bazë për t’i caktuar ndonjë lloj urdhri. Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut ka besueshmërinë më të ulët të publikut dhe prej vitesh i dyshuar për një shkallë të lartë të korrupsionit.

Gjithmonë gjatë fushatave zgjedhore partitë politike flasin për luftën e pakompromis kundër korrupsionit, por rrallë ndodh që ndonjë gjykatës apo prokuror të dalë para gjyqit nën akuzat për korrupsion apo vepra të tjera penale. /VOA

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?