Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u kërkoi të enjten liderëve europianë që të ndalojnë menjëherë blerjen e naftës nga Rusia, duke theksuar se këto të ardhura po ndihmojnë Moskën të financojë luftën në Ukrainë. Lajmi u konfirmua nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Trump iu bashkua një telefonate të udhëhequr nga Presidenti francez Emmanuel Macron me vendet e grupit "Koalicioni i Vullnetmirëve", të cilët po diskutojnë për garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
“Presidenti Macron dhe liderë të tjerë europianë e ftuan Presidentin Trump në takimin e tyre të ‘Koalicionit të Vullnetmirëve’. Presidenti Trump theksoi se Europa duhet të ndalojë blerjen e naftës ruse që po financon luftën, pasi vetëm në një vit, Rusia ka përfituar 1.1 miliardë euro nga shitjet e karburanteve në Bashkimin Europian,” deklaroi zyrtari amerikan.
Trump theksoi gjithashtu se liderët europianë duhet të ushtrojnë presion ekonomik ndaj Kinës, për rolin e saj në mbështetjen financiare të përpjekjeve të luftës nga ana e Rusisë.
Komisioni Europian ka propozuar një plan ligjor për të ndërprerë gradualisht importet e naftës dhe gazit rus deri më 1 janar 2028, si pjesë e përpjekjeve për të shkëputur varësinë energjetike nga Rusia pas agresionit të saj ndaj Ukrainës në vitin 2022.
Ndërkohë, Presidenti Trump është shprehur i zhgënjyer që nuk ka arritur t’i japë fund luftës në Ukrainë, ndonëse kishte premtuar një zgjidhje të shpejtë që në fillim të mandatit të tij në janar të këtij viti.
Sipas zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë, në telefonatë morën pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Lajmi kryesor:
Samiti në Paris për Ukrainën, Zelensky: Po konkretizojmë garancitë e sigurisë! Macron: Kushtet e Moskës janë të paligjshme
V.GJ /ReportTv.al