Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut

Ndan Mitrovicën/ Qeveria e Kosovës për hapjen e urës së Ibrit: Heqja e pengesave të lëvizjes, vendim i drejtë

30 Prill 2023, 10:00| Përditesimi: 30 Prill 2023, 10:10

  • Share

Qeveria e Kosovës e ka quajtur vendim të drejtë nismën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e plotë për qarkullim të urës mbi lumin Ibër.

Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe.Sot, ato janë dy komuna të veçanta.

“Vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur. Kosova është e gjithë qytetarëve të saj dhe ata gëzojnë të drejtën të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e saj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut miratuan kërkesën për hapjen e urës më 28 prill.

Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune u zëvendësuan dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës.

Deri më tani nuk është bërë e ditur se si dhe kur mund të zbatohet ky vendim.Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës theksoi se ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen”.

“Duam të paralajmërojmë se hapja eventuale e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës. Ura, ku kanë ndodhur më shumë se 1.000 sulme me motive etnike nga jugu në veri, është simbol i vuajtjes së popullit serb dhe synimi i Prishtinës është që dëbojë serbët e mbetur nga i vetmi mjedis urban ku ata kanë mbijetuar në një numër më të madh”, thuhet në reagimin e kësaj partie që ka mbështetjen e Beogradit.

Lista Serbe kërkoi nga KFOR-i (misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë), EULEX-i (misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë) dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që “me urgjencë të pengojnë zbatimin e këtij vendimi”.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, reagoi duke thënë se se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar “dëshiron konflikte me çdo kusht”.Vuçic nuk dha asnjë provë për këto pretendime.

Në anën tjetër, Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi theksoi se tani “nuk është momenti i duhur” për hapjen e urës mbi Ibër.

“Përderisa ne po flasim, në Mitrovicë ka një kërkesë për hapjen e urës dhe është e qartë se nuk është atmosfera për këtë”, tha ai duke kërkuar që palët të respektojnë marrëveshjen e Ohrit dhe “vijat e kuqe”.

Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët. REL

 


Lajmi kryesor:

Qeveria e Kosovës mbështet hapjen e Urës së Ibrit, BE-ja dhe KFOR-i e kundërshtojnë vendimin


M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?