Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, duke e cilësuar atë si një figurë të shquar që do të mbetet përherë frymëzim për brezat që vijnë.
Në mesazhin e saj drejtuar familjes së regjisorit, Osmani vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Anagnostit në fushën e artit dhe kulturës. Ajo theksoi se vepra e tij shumëvjeçare ka pasuruar trashëgiminë kulturore shqiptare dhe i ka dhënë identitet të veçantë kinemasë sonë në arenën ndërkombëtare. “Veprat e tij mbeten të ngulitura thellë në kujtesën e publikut dhe janë dëshmi e talentit, përkushtimit dhe guximit të tij artistik. Ai ishte një njeri që i dha artit dinjitet dhe shoqërisë reflektim,” thuhet në telegramin ngushëllues.
Dhimitër Anagnosti ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në kinematografinë shqiptare. Ai ishte një nga pionierët dhe personalitetet më të rëndësishme të këtij arti në Shqipëri, me një karrierë që përfshinte role si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe politikan.
Gjatë katër dekadave të punës së tij krijuese, Anagnosti realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, shumicën prej të cilëve i konceptoi dhe i shkroi vetë. Filmat e tij trajtonin temat më të thella shoqërore, historike dhe njerëzore, duke prekur publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 2011 ai u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, duke u vlerësuar si një nga emrat më të mëdhenj të kinemasë shqiptare. Trashëgimia e Dhimitër Anagnostit do të jetojë përmes filmave të tij, që do të vazhdojnë të inspirojnë artistë dhe shikues për breza të tërë.
Komente

Burr i dijes dhe i veçant në dashurin për Atdheun.I pa harruar kujtimi i tij
Përgjigju