Ndarja nga jeta e Franco Tagliarinit, specialisti i trashëgimisë Shpend Bengu kërkon dixhitalizimin e fondit të fotove të italianit (VIDEO)

19 Janar 2021, 19:27| Përditesimi: 19 Janar 2021, 19:36

  • Share

Presidenti i "Il Veltro Editrice" dhe kryeredaktor i Albanianews.it Franco Tagliarini është shuar në moshën 82-vjeçare. Specialisti i Trashëgimisë Jomateriale, Shpend Bengu, rrëfen në “ReportTV” vitet e tij të para të fëmijërisë në Shqipëri.

“Fillimisht Franco Tagliarini-n e kam takuar në disa konferenca në Itali, por nuk kam guxuar që t’i afrohesha për shkak të hijes së rëndë. Gjatë kohëve të fundit, bëra një dokumentar për shkollën e Kavajës dhe për këtë i kërkova disa materiale. U gëzua shumë dhe m’i ka dhënë të gjitha falas, të gjitha kishin një cilësi të jashtëzakonshme.  Periudha nga viti ’39 deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, nuk do të ishte pasqyruar në dokumentar, nëse s’do të kisha  këto materiale. E kam falënderuar sa ishte gjallë dhe e falënderoj dhe sot. Ndarja e tij nga jeta krijon një boshllëk të madh dhe në dokumentacionin e dokumenteve albanologjike”, shprehet Shpend Bengu, specialist i Trashëgimisë Kulturore Materiale edhe Jomateriale.

E përpos kësaj, Bengu ndalet veçanërisht tek i ati i Franco Tagliarinit. Francesco Tagliarini, gjatë pushtimit Italian në fillim vitet ’40 ka qenë në Shqipëri për promovimin e kulturës sonë, përmes drejtimit të revistës mujore për turizmin “Drini” edhe si Drejtor i Përgjithshëm i organit botues “Distatpur”.

“Francesco Tagliarini, që në fillim të viteve ’40 vjen në Tiranë me kërkesë nga Këshilli i Ministrave të asaj kohe të Shqipërisë, për t’u bërë drejtor i shtypit propagandës dhe turizmit, aty ku sot është bashkia e Tiranës. Nga bisedat e fundit, që kam bërë me mikun tim Franco Tagliarini i ati i tij kishte lidhje familjare me vëllanë e Musolinit, Arnoldi emrin e të cilit mori dhe shkolla e Kavajës. Ardhja në Tiranë e Francesco Tagliarinit, nuk ishte e rastësishme. Me ardhjen e tij hapet për herë të parë edhe botimi i revistës “Drini”, për të cilën ka bashkëpunuar dhe me artistë të njohur shqiptar, siç është dhe Fadil Pëllumbi. Shumë nga akuarelet apo veprat e tij pasqyroheshin në revistat e asaj kohe. Ka themeluar edhe një ent tjetër botues, “Distatpur”, që merrej me materialet e trashëgimisë jomateriale edhe materiale. Pas kthimit në Itali mori me vete të gjitha materialet e revistës “Drini” edhe kaluan në arkivin e familjes. Së bashku themelojnë edhe arkivin, që janë vënë gjithmonë në dispozicion të shoqërisë italiane. Kohët e fundit, një shoqatë ka bashkëpunuar ngushtë edhe për promovimin e materialeve nga Shqipëria, siç është dokumentari për kartolinat. Me keqardhje duhet që të themi se shumë nga këto materiale janë keqmenaxhuar nga publiku shqiptar”, tregon Bengu.

Përpos këtyre nismave, këto dëshmi historike të rëndësishme, i ka ruajtur në Fondin Francesco dhe Franco Tagliarini në Arkivin Fotografi të Shoqërisë Gjeografike Italiane. Prandaj Bengu bën apel shtetit që t’i digjitalizojë, sepse janë të domosdoshme në prezantimin e së shkuarës së vendit tonë përmes dokumentacionit konkret

 “Do të ishte mirë nga shteti shqiptar për të digjitalizuar këtë fond që ai vet i ka vënë në dispozicion Shqipërisë”, -  përfundon Bengu.

Franco Tagliarini ka qenë pjesë e konferencës “Shqipëria.  Një dashuri e re mesdhetare” së organizuar nga Shoqëria Gjeografike Italiane në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali ku referoi për “Shqipërinë turistike”.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?