Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet pas ndarjes nga jeta të ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kolë Berisha. Duke e konsideruar si një humbje të madhe për familjen e kolegët, Meta shkruan se Berisha tha një kontribut të madh në konsolidimin e shtetit të Kosovës.
“Me hidhërim mora lajmin për largimin nga jeta të z.Kolë Berisha, politikanit të urtë dhe vizionar të Kosovës, deputet në disa legjislatura dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova. Është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët, të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të thella!
Aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare, angazhimin jetësor të Kolë Berishës nuk e ndalën as persekutimet dhe burgosjet, për të spikatur si ish-Kryetar Kuvendi dhe ish-deputet, me kontributin e tij përherë të respektuar për konsolidimin e institucioneve të shtetit të Kosovës. Urtësia, veprimet e matura dhe të mençura politike të Bacës Kolë do të kujtohen gjithmonë me nderim! Të prehet në paqe”, shkruan Meta.
Lajmi kryesor:
Shuhet ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha! Osmani: Jetën ia kushtoi lirisë së vendit! Meta: I palodhur në shërbim të çështjes kombëtare
SI.E./ReportTv.al