Ndarja nga jeta e kompozitorit Agim Krajka, Meta: Humbje e pazëvendësueshme, që na ka lënduar të gjithëve

2 Mars 2021, 11:58| Përditesimi: 2 Mars 2021, 12:02

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të kompozitorit të njohur Agim Krajka në moshën 83-vjeçare.

Ndërsa e quan një personalitet i jashtëzakonshëm të muzikës shqiptare, Meta shkruan ndarja e tij nga jeta është një humbje e pazëvendësueshme.

“Me hidhërim të thellë mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të kompozitorit tonë të shquar, Nderit të Kombit, Agim Krajka. Personalitet i jashtëzakonshëm i muzikës shqiptare, me një kontribut të vyer për dekada në transmetimin e vlerave më të spikatura shpirtërore të kulturës sonë te brezat e rinj, trashëgimia e Tij e pasur artistike do të nderohet dhe do jetojë përjetë. Duke u përulur me nderim e mirënjohje të thellë para veprës së Tij, u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së dashur Krajka, kolegëve dhe të gjithë artdashësve shqiptare për këtë humbje të pazëvendësueshme, që na ka lënduar të gjithëve. Lutemi, që shpirti i Tij të gjejë paqen e merituar”, shkruan Meta.

Krajka ishte nderuar me titullin ‘Artist i popullit”, ndërsa gjatë karrierës së tij u vlerësua me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova. 

Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?