Ndarja nga jeta e Ljarjas/ Meta: Lajm pikëllues! Ruçi: Jemi rritur me rolet e tij...Braçe: Një duartrokitje e madhe për artin tënd, Rikardi i madh

21 Prill 2020, 09:18| Përditesimi: 21 Prill 2020, 09:22

  • Share

TIRANË- Politika e ka nisur mëngjesin e sotëm me mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta mbrëmjen e djeshme të aktorit dhe regjisorit Rikard Ljarja.

Presidenti Ilir Meta shkruan se ky lajm ka hidhëruar jo vetëm familjen e aktorit, por të gjithë shqiptarët të cilëve u ka lënë një trashëgimi të çmuar. Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi shkruan se me artin e tij Ljarja është bërë pjesë e vetëdijes artistike të kombit, me rolet e së cilit janë rritur breza të të shqiptarë!

"Duartrokitje për artin tënd", shkruan zv. kryeministri Erion Braçe, teksa e quan aktorin "Rikardi i Madh".

Ora 14:34
Ministrja e Kulturës në Kosovë letër ngushëllimi familjes Ljarja: Dhe ne rritur me filmat e tij, një humbje e madhe

Mesazheve të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit Rikard Ljarja ka dhënë edhe ministrja Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Vlora Dumoshi. Ajo i ka dërguar një letër familjes Ljarja, ku vlerëson maksimalisht kontributin e Rikardit në kinematografinë shqiptare. "Jemi rritur me veprat e tij edhe ne në Kosovë", thotë Dumoshi, me role që nuk do të harrohen kurrë.

 "Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj Rikardit, aktorit, regjisorit dhe skenaristit tonë të madh, që la gjurmë të pashlyeshme në tërë kulturën shqiptare. Puna, kontributi dhe angazhimi i tij, në fushën e teatrit dhe sidomos të kinematografisë, e ka bërë atë figurë të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare.

Ai me shumë punë dhe dashuri për artin, e ngriti kulturën shqiptare në një nivel tjetër. Ne në Kosovë, jemi ushqyer me kulturën shqiptare nëpërmjet veprave të cilat na ka sjellë Rikardi bashkë me shumë aktorë e artistë tjerë shqiptarë. Jemi rritur me filmat ku protagonist ka qenë ai. Nga shumë filmat që Rikardi mori pjesë, nuk mund të harrohen dot “Rrugët e bardha”, “Pesha e kohës”, e shumë filma të tjerë si dhe angazhimi i tij në teatrin “Migjeni” i cili ishte një thesar në mesin e xhevahireve të tjerë që kishte Shkodra.

 Vdekja e tij është humbje e madhe për artin shqiptar, por korpusi i veprave filmike që ai la pas vete, janë një pasuri e çmuar artistike që ka vulën e kulturës shqiptare dhe bën që emri i tij të mos harrohet kurrë. Fizikisht, ai nuk do të jetë më i pranishëm me ne, por do të kujtohet gjithmonë përmes veprës shumë të çmuar dhe me vlerë që la pas. E nderuara familje Ljarja, të dashur miq të tij, i tërë komuniteti artistik mbarëshqiptar, pranoni ngushëllimet e mia më të përzemërta. I përhershëm qoftë kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu", shkruan Dumoshi.

Ora 10:48
Rama i pikëlluar për ndarjen nga jeta të aktorit Rikard Ljarja: Lamtumirë mik


I pikëlluar për ndarjen nga jeta të aktorit Rikard Ljarja kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në faqen e tij në Facebook, të cilin e shoqëron me foton e 'Dedës' dhe fjalët 'Lamtumirë mik'.

Ora 09:07
Braçe: Një duartrokitje e madhe për artin tënd, Rikardi i madh

Një mesazh të shkurtër ngushëllimi, por kuptimplotë ka pasur zv. kryeministri Erion Braçe për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit mbrëmjen e djeshme.

"Ndritte shpirti yt nga atje lart! Një duartrokitje e madhe për artin tënd, Rikardi i madh", shkruan Braçe.

Ora 08:57
Ruçi: Jemi rritur me rolet e tij! Pjesë e vetëdijes artistike të kombit

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të aktorit Rikard Ljarja.

“Iku një emblemë e kinematografisë dhe artit shqiptar, që krijoi për të gjithë ne figura vetëmohuese. Rikard  Ljarja është pjesë e vetëdijes artistike të kombit. Ne jemi rritur me personazhet e Ljarjes midis nesh. Ai ka frymëzuar e do të frymëzojë brezat me jetën dhe me personazhet e tij.  Me veprën e vet, Rikard  Ljarja na la kumtin se madhështia krijohet prej thjeshtësisë dhe përsosmëria prej përkushtimit. Peng për të gjithë ne që nuk e përcjellim siç e meritonte.”, shkruan Ruçi.

Ora 08:52
Meta: I hidhëruar, krijimtaria e shkëlqyer dhe kujtimi yt të paharrueshme

TIRANË- Një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë shqiptarët! Kështu e nis presidenti Ilir Meta mesazhin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit Rikard Ljarja.

"I hidhëruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, skenaristit e regjisorit të mirënjohur, Rikard Ljarja.

Pa fjalë nga dhimbja për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e Tij, për teatrin dhe kinematografinë shqiptare, por për të gjithë brezat që u rritën dhe duartrokitën talentin e veçantë dhe personazhet e paharruara të luajtura mjeshtërisht prej Tij. Si një përfaqësues tipik i një brezi idealistësh me shpirt krijues, të cilët aq shumë e deshën artin dhe Shqipërinë, ky largim në amëshim i Rikardit të madh na ka pikëlluar të gjithëve!

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ljarja, Marjetën e dashur, fëmijët, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët, dhe të gjithë artdashësit shqiptarë. Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar si vetë trashëgimia e çmuar që la pas me talentin, pasionin dhe krijimtarinë e shkëlqyer", shkruan Meta.

Postimi i plotë i presidentit Ilir Meta
B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?