Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shprehur ngushëllimin e tij pas ndarjes nga jeta të mjekut të njohur Isuf Kalo ditën e sotme. Me anë të një postimi në Facebook, Meta i shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes për këtë humbje të pazëvendësueshme dhe shtoi se Kalo njihej për humanizmin e tij dhe në të njëjtën kohë edhe për thellësinë e kumtimit shkencor, kulturën e gjerë erudite dhe novatorizmin e ideve mjekësore dhe sociale dhe kontributet e tij do të jenë të pashlyea në historinë e Shkencës Mjekësore në Shqipëri.
"Në këtë moment të ndarjes nga jeta të Profesor Isuf Kalo i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të dashur për këtë humbje të pazëvendësueshme. Kam pasur kënaqësinë e veçantë ta njoh nga afër Profesor Isuf Kalon, që përfaqësonte si rrallëkush vlera të mëdha si humanizmi, thellësinë e kumtimit shkencor, kulturën e gjerë erudite dhe novatorizmin e ideve mjekësore dhe sociale. Kontributet e Isuf Kalos për dekada të tëra në fushën e shëndetësisë kanë shënuar gjurmë, që do të mbeten të pashlyera në historinë e Shkencës Mjekësore shqiptare, qoftë si Profesor, por edhe në kërkimin dhe publicistikën mjekësore. Profesor Isuf Kalo ishte një shembull i misionarit dhe intelektualit, që pa u ndalur kumtoi gjatë gjithë jetës shkencën dhe përvojën personale aq të pasur e të larmishme brenda dhe jashtë vendit. U prehtë në paqe dhe i paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e tij!", shkruar Ilir Meta në facebook.
Lajmi kryesor:
Ndahet nga jeta mjeku i njohur Isuf Kalo
F.D/ReportTv.al