Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut janë përcjellë edhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani. Në një postim në X, Kurti shkreh ngushëllime në emër të Kosovës, ndërsa shkruan se trashëgimia e drejtësisë dhe dhembshurisë së tij do të jetojë gjithmonë.
“Në këtë të hënë të Pashkëve - një ditë shprese dhe ripërtëritjeje për të krishterët në mbarë botën - vajtojmë vdekjen e Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut. Trashëgimia e tij e përulësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë do të vazhdojë. Në emër të popullit të Kosovës, shpreh ngushëllimet tona më të thella. U preftë në paqe”, ka shkruar Kurti.
Presidentja Osmani ka kujtuar takimin që ka mbajtur me Papën në Selinë e Shenjtë, dhe premtimin që ai i kishte dhënë se do të vizitojë Kosovën.
"Do të vij në Kosovë", ishte premtimi i Papa Françeskut gjatë audiencës që kisha me të në Selinë e Shenjtë, duke treguar sa shumë dashuri kishte për vendet më të vogla, sidomos për popullin e përvuajtur të Kosovës. Këtë vizitë, fatkeqësisht nuk arriti ta realizojë, sepse Shenjtëria e Tij, Papa Françesku kaloi në amshim, por do të kujtohet si një udhëheqës shpirtëror që me përulësinë, mençurinë dhe dashurinë e tij të pakufishme i dha botës një shembull të rrallë njerëzie dhe shërbimi.”, shkroi Osmani.
Ajo e përshkroi Papën Françeskun si një figurë të rrallë, të cilin do ta kujtojnë jo vetëm besimtarët katolikë, por edhe mbarë njerëzimi. Populli i Kosovës, shton Osmani, do të jetë gjithmonë mirënjohës për fjalët e ngrohta të tij.
“Papa Françesku do të kujtohet si Papa i paqes, i të varfërve dhe i dialogut ndërfetar, një figurë që i dha forcë fjalës së dhembshurisë dhe e jetoi misionin e tij me guxim e përkushtim. Populli i Kosovës do t’i jetë gjithmonë mirënjohës për fjalët e ngrohta dhe kujdesin e vazhdueshëm që Papa Françesku tregoi ndaj nesh. Ai ishte një zë që i dha rëndësi vuajtjes së të pafajshmëve dhe shpresës për një të ardhme më të ndritur. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin. Mendimet dhe lutjet tona janë me besimtarët katolikë në mbarë botën. U prehtë në paqe shpirti i Shenjtërisë së Tij!”, përfundon Osmani.
Postimi i Kurtit për Papa Françeskun
Postimi i Osmanit
Komente
