Me kolonën zanore të filmit të tij “Trishtim i Zonjës Shnajder”, Piro Milkanit iu dha dje (25 maj) lamtumira e fundit.
Aktori Nik Xhelilaj, i përzgjedhur nga Milkani për rolin kryesor të këtij filmi, shpreh trishtimin për humbjen e tij, por edhe nderimin për gjithë kontributin në kinematografi.
“Ishte një nga regjisorët që sot vazhdon akoma të jetë më i miri, në raport miqësie, qetësie dhe mjeshtërie”, tha Nik Xhelilaj për Report Tv.
Mjeshtri i filmit mbylli sytë përgjithmonë më 24 maj në moshën 86-vjeçare, teksa prej kohësh ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, së fundi edhe me probleme me mushkëritë.
Karriera e tij në kinematografi përfshin regjinë e mbi 20 filmave artistikë dhe dokumentarë, duke përfshirë tituj të njohur si “Kur zbardhi një ditë” (1971), “Zonja nga qyteti” (1976), “Ballë për ballë” (1979), “Militanti” (1984). Pa harruar më tej “Besa e kuqe”, “Pranvera nuk erdhi vetëm”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, së bashku me regjisorin italian Luciano Tovoli, për të finalizuar me “Ngjyrat e moshës” në kapërcim të dy epokave historike të vendit (1990), apo "Lamerica" më 1994 dhe “Trishtimi i zonjës Shnajder” më 2008, ku filmografia e tij u pasurua edhe më shumë, pavarësisht tranzicionit të vendit.
Komente
