Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur, Piro Milkani. Ministri i Ekonomisë, KLulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shpreh vlerësimin për kontributin e Milkanit në artin dhe kulturën shqiptare.
“Lamtumirë mjeshtër Piro Milkani! Një figurë e dashur, një artist i jashtëzakonshëm, një njeri që i fali shpirt kinemasë sonë dhe i dha kuptim brezave të tërë me artin dhe urtësinë e tij. Me filma që i kanë rezistuar kohës si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur” dhe “Zonja nga qyteti”, ai skaliti vepra arti, që sot janë pjesë e identitetit tonë kulturor.”, shkruan ministri.
Gonxhja thotë se më shumë sesa një regjisor, Milkani ishte një artist shumë dimensional. Miqtë dhe kolegët, shton ai, e kujtojnë si një enciklopedi të gjallë të Kinostudios.
"Më shumë se regjisor, ai ishte artist shumëdimensional. Një njeri që gjithmonë e ndante dijen dhe dashurinë për filmin me përulësi e pasion. Miqtë dhe kolegët e kujtojnë si një enciklopedi të gjallë të Kinostudios, një mik që nuk lodhej së treguari, së ndari, së kujtuari.
Faleminderit mjeshtër, për gjithçka që le pas. Yjet sonte kanë një dritë më shumë... dhe ne një mungesë që nuk shuhet lehtë. Ngushëllimet më të ndjera familjes Milkani, miqve dhe të gjithë komunitetit artistik.”, shton ministri.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, teksa ka ndarë një foto me Milkanin, shprehet se ai dha shumë për artin dhe kulturën shqiptare dhe se puna e tij do të mbetet një trashëgimi e patjetërsueshme.
“Profesori, regjisori dhe artisti i shquar i dha kaq shumë artit dhe kulturës shqiptare, dhe la pas një trashëgimi të çmuar që do t’u prijë edukimin kineastëve të rinj. Puna dhe pasioni i tij për filmin janë një pasuri kombëtare e patjetërsueshme.”, shkruan Veliaj.
Ngushëllimet ka shprehur edhe aktori Petrit Malaj, i cili kujton rolin vendimtar që Milkani pati në fillimet e karrierës së tij, duke e përshkruar si një njeri të qetë, të përkushtuar dhe me shpirt të madh artistik. Malaj thekson se për Milkanin, arti nuk ishte thjesht një profesion, por një mënyrë jetese e mbushur me shpirt dhe përkushtim.
“I dashur Piro,
Sot zemra më dhemb më shumë se fjalët që mund të shkruaj. Ti ishe ai që, me një buzëqeshje të qetë dhe një besim të palëkundur, hape derën e kinemasë për mua dhe më le të provoja hapin tim të parë si aktor. Nën dritat e setit, ti përcillje qetësi, mirësi dhe një pasion që ngjyroste çdo kornizë filmi.
Më mësove se arti nuk është thjesht profesion, por mënyrë e të jetuarit me shpirt të hapur. Me kujdesin që tregoje për çdo detaj, me respektin që u jepje të gjithëve dhe me delikatesën me të cilën drejtoje, bëre që të ndihesha i vlefshëm, i përfshirë, i parë.
Kam ende në vesh zërin tënd që më thoshte: “Beso, pastaj luaj.” Qyteti ynë i vogël kinematografik mbetet më i varfër pa ty, por kujtimet dhe mësimet e tua do të më shoqërojnë gjithë jetën. Faleminderit që besove tek unë, që më dhe zemrën tënde artistike, që më tregove si të jem njeri para se të jem aktor.
U prehsh në paqe, miku im dhe udhërrëfyesi im. Për mua do të mbetesh gjithmonë dritë në ekranin e kujtimeve.
Me përqafim nga shpirti,
Petriti”, shkruan aktori.
Postimi i ministrit Gonxhja
Postimi i Malajt
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përcjellë një mesazh ngushëllimi nga qelia për ndarjen nga jeta të regjisorit Piro Milkani. Në një reagim në rrjete sociale, Veliaj shkruan se Milkani la pas një trashëgimi të çmuar për kineastët e rinj.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të kinematografisë shqiptare, Piro Milkani.
Profesori, regjisori dhe artisti i shquar i dha kaq shumë artit dhe kulturës shqiptare, dhe la pas një trashëgimi të çmuar që do t’u prijë edukimin kineastëve të rinj. Puna dhe pasioni i tij për filmin janë një pasuri kombëtare e patjetërsueshme.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik për humbjen e këtij personaliteti të rrallë.”, ka shkruar Veliaj.
Postimi i Veliajt
Komente
