Kultura

Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Regjisori do prehet në Vuno, arti e politika: Fellini shqiptar, ndërtoi karaktere legjendare! Sot zi kombëtare

2 Shtator, 09:22| Përditesimi: 2 Shtator, 18:00

  • Share

TIRANË-  Me flamujt gjysmështizë në të gjithë vendin, me lot në sy, me dhimbje e pafund momente për të kujtuar, miqtë, familjarët, kolegët e publiku artdashës i dhanë këtë të martë lamtumirën e fundit Mjeshtrit të Madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnostit. 

Homazhet në nder të kujtimit e veprave të tij u mbajtën në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku bashkëudhëtarja e tij e jetës, aktorja Roza Anagnosti e fëmijët e tyre morën ngushëllime nga të njohur e të panjohur. 

Për kolegët, ata që ndanë me të pasionin për filmin, Anagnosti ishte Fellini shqiptar që i dha vendit thesare. 

"Ishte si Fellini shqiptar”, tha piktori Gazmend Leka.

Artistët e shumtë që kanë bashkëpunuar me të kujtojnë momente nga sheshxhirimet, njësoj si aktorja Marjana Kondi, e cila ishte protagonistja kryesore në perlën e fundit të Dhimitër Anagnostit, “Gjoleka djali i Abazit”. 

"Profesor Anagnosti, kolosi i artit shqiptar. Kam qenë me fat që kam qenë mikja e tij. Gjithkush duhet të dijë një gjë që në këtë botë kur të shkosh duhet të shkosh me dinjitet.", tha Kondi. 

Nga Presidenti i Republikës, Begaj, Kryeministri Rama, krerë të tjerë të shtetit e politikës, si Sali Berisha nderuan mjeshtrin e madh. Kryeministri, qeveria e të cilit vendosi të shpallë 2 shtatorin ditë zie kombëtare në nder të kineastit, në librin e ngushëllimeve la këtë shënim:

“Jam i bindur që ke menduar shpesh për këtë ditë kur do të ndahesh përgjithnjë nga zhurma e qytetit e do të prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do të jetë mbi ty”. 

Anagnosti do të kujtohet nga shqiptarët si babai i “Lulëkuqe mbi mure” apo “Përrallë nga e kaluara”, krijuesi i personazheve si Sulo apo kujdestari, Gjinos dhe Marigosë. Babai i kinematografisë shqiptare do të prehet në fshatin e tij të lindjes, në Vuno të Himarës. 

 

 

Ora 15:51
U nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, Begaj për regjisorin Anagnosti: U shua një yll nga plejada e artistëve të mëdhenj shqiptarë

Foto: Bajram Begaj

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e homazheve të lamtumirës së fundit ndaj regjisorit dhe personalitetit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.  

Kreu i Shtetit vendosi kurorën me lule në arkëmortin e Dhimitër Anagnostit, si dhe i shprehu ngushëllime bashkëshortes së tij, artistes Roza Anagnosti, dhe familjarëve.

Begaj e cilësoi ndarjen nga jeta të regjisorit Anagnosti si shuarjen e një ylli nga plejada e artistëve të mëdhenj shqiptarë, ndërsa u shpreh se arti i tij do të vazhdojë të magjepsë shqiptarët.  

Në respekt të ditës së zisë kombëtare për ndarjen nga jeta të artistit Dhimitër Anagnosti, Institucioni i Presidentit të Republikës uli këtë të martë flamurin kombëtar në gjysmë shtizë.

Ora 13:38
‘Do prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do jetë mbi ty’, mesazhi që la Rama në librin e ngushëllimeve për Anagnostin

1756813246_edirama.jpeg

Kryeministri Edi Rama, gjatë homazheve në nder të regjisorit Dhimitër Anagnosti, la edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve. Në të shkruan se do të prehet në Vunoin e tij, ku lindi, dhe ku paqja do mbizotërojë mbi të.

“Jam i bindur që ke menduar shpesh për këtë ditë kur do të ndahesh përgjithnjë nga zhurma e qytetit e do të prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do të jetë mbi ty.

Me mall Edi”, thuhet në mesazh.

Mesazhi i lënë nga kryeministri Rama 
Ora 11:58
Aktorja Marjeta Ljarja në homazhet për Anagnostin: Filmat e tij do të jenë të paharruar 

Aktorja Marjeta Ljarja, teksa bëri homazhe në nderim të Dhimitër Anagnostit, tha se filmat që ka realizuar ai do të mbeten të paharruar.

“Filmat e tij do të jenë të paharruar. Me Rikardin ka qenë mik i veçantë. Ka bërë gjëra të bukura. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Nuk do të harrohet”, u shpreh ajo.
 

Ora 11:33
Piktori Gazmend Leka: Anagnosti ishte personalitet i papërsëritshëm! Fellini shqiptar, la pas gjëra të mrekullueshme

 

Piktori Gazmend Leka e përshkroi Dhimitër Anagnostin si një personalitet të papërsëritshëm. Duke folur pas homazheve, Leka tha se veprat e tij janë një xhevahir jo vetëm i kinematografisë shqiptare, por edhe e asaj botërore. Ai e krahasoi Anagnostin me regjisorin dhe skenaristin e famshëm italian Federico Fellini.

“Ishte personalitet i papërsëritshëm. Humbje shumë e madhe për të tërë. Por përveçse ishte një person me staturë të madhe, kishte një strukturë të pathyeshme. Ishte si beton. Ishte shumë aventurier, liberal sa i përket artit aq më tepër filmit. Ato gjëra që na kanë lënë ai, janë xhevahir dhe nuk diskutohet për kinematografinë shqiptare, por janë xhevahir edhe në artin botëror të kinematografisë. E kam dhimbjen edhe si Gazi se shkëmbenim biseda dhe ishte vazhdimisht në ekspozitat e mia. Duke ardhur me Artan Peqinin, ish-dekanin tim, përmendi Fellinin kur ka vdekur në Romë. U bë bllokim total i TV-ve dhe jepnin vetëm për të. Dhe po thoshim se është si Fellini shqiptar”, tha Leka duke përmendur disa nga filmat që bënë bujë të Anagnostit, dhe duke shtuar se ka lënë pas gjëra të mrekullueshme.

Ora 11:28
Gëzim Kame: Anagnosti ishte profesor i regjisurës! Bëri punë të jashtëzakonshme, ndërtoi karaktere legjendare

Aktori dhe regjisori Gëzim Kame e vlerësoi punën e Dhimitër Anagnostit si të jashtëzakonshme. Në një prononcim për mediat pasi bëri homazhe, Kame tha se Anagnosti ishte profesor i regjisurës dhe se karakteret që ndërtoi ai ishin legjendare.

 "Ishte profesor i regjisurës në të gjitha drejtimet. Të shikosh veprimtarinë e Anagnostit vë re se është lakonik në çdo gjë. Ishte redaktues i jashtëzakonshëm i veprave, dhe mbante veprën. Puna e tij si regjisor me aktorin në film ishte e jashtëzakonshme. Kishte motiv të vetëm që syri i aktorit të flasë në çdo gjë në ekran dhe kësaj gjëje nuk iu nda deri në fund. Karakteret në filmat e Anagnostit janë legjendare për ekranin shqiptar. Artisti shumë i madh. Do të mbahet mend si një nga kineastët më të mëdhenj. Kishte inteligjencë dhe kulturë të jashtëzakonshme. Duhet të mendoheshe kur të flisje me të. Nuk ishte “diktator i së bukurës”, ai që është kërkues. Është këmbëngulës për të gjetur të bukurën, të mirën, të mençurën e të drejtën.”, u shpreh ai.

Ora 11:20
Ministri Gonxhja bën homazhe: Anagnosti la pas thesar e trashëgimi! Vepra e tij do mbahet mend gjithmonë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja tha se ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit lë pas një thesar dhe trashëgimi të vyer. Ministri theksoi se qëndrojnë pranë familjes së tij për të shprehur përulje dhe mirënjohje për punën e shkëlqyer që la pas.

 “Sot është shpallur edhe ditë zie. Ndahet fizikisht një baba i kinemasë, një korife i regjisë dhe artit por është ndarje që lë pas thesar e trashëgimi për të gjithë brëezat. Vepra e tij do të mbahet mend gjithmonë. Jemi këtu pranë yllit të tij, Roza Anagnosti, familjes së tij për t’i shprehur këtë përulje dhe mirënjohje të thellë e të lartë.”, tha Gonxhja.

Ora 11:06
Kryeministri Rama bën homazhe në nderim të regjisorit Anagnosti (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Teatrin e Operas dhe Baletit për homazhet në nderim të regjisorit të shquar, Dhimitër Anagnosi. Kryeministri la edhe një mesazh në librin e kujtimeve. Kreu i qeverisë, në reagimin për ndarjen nga jeta, e cilësoi Anagnostin si babain e kinematografisë shqiptare.

Ora 10:48
Homazhet për Anagnostin, Marjana Kondi: Kolos i artit shqiptar, iku me dinjitet

 

Aktorja Marjana Kondi bëri homazhe në nderim të regjisorit Dhimitër Anagnosti. Ajo tha se u paraqit për homazhe 10 minuta para se të nisnin, ashtu sikurse kërkonte gjithmonë regjisori për t’u paraqitur në punë.

Duke e cilësuar si kolosin e artit shqiptar, Kondi tha se Anagnosti iku nga kjo botë me dinjitet.

“Lum ai që ikën me dinjitet. Profesor Anagnosti, kolosi i artit shqiptar. Kam qenë me fat që kam qenë mikja e tij. Gjithkush duhet të dijë një gjë që në këtë botë kur të shkosh duhet të shkosh me dinjitet. Mbaj mend korrektesën e tij, humorin e bukur që kishte. Sot duhet të vija 10 minuta përpara ashtu siç donte në set. Jam me fat, kam mësuar shumë nga ai. Ishte i mrekullueshëm. Ai do të prehet në botën e vërtetë me dinjitet.”, u shpreh Kondi.

Ora 07:39
Sot i jepet lamtumira e fundit Dhimitër Anagnostit, homazhet mbahen në Teatrin e Operas dhe Baletit! Regjisori do të prehet në vendlindje, Vuno të Himarës

1756731511_dhimiteranagnosti.png

Sot regjisori Dhimitër Anagnosti do të përcillet për në banesën e fundit, në Vuno të Himarës, vendlindjen e tij. Homazhet do të mbahen në Hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit nga ora 10:00-13:00, ku familjarë, miq, kolegë dhe dashamirës të artit do t'i lamtumirën e fundit mjeshtrit të artit.

Dhimitër Anagnosti, një nga figurat më të shquara të panteonit të kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. 

I cilësuar si një prej regjisorëve më të mëdhenj të artit shqiptar, Anagnosti numëron në 'portofolin' e tij artistik 15 skenarë, 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, të realizuara gjatë karrierës 40-vjeçare. Për kontributin që ka dhënë, ai është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Publiku e kujton për filmat “Komisari i dritës”, “Duel i heshtur”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Cuca e maleve”, “Malet me blerim mbuluar”,  “Gjoleka, djali i Abazit” etj, shumë prej të cilëve u shfaqën në festivale ndërkombëtare. 

Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, mjeshtrit të madh të kinemasë shqiptare, solli reagimin e aktorëve e kolegëve, por edhe figurave të njohura të politikës. Ata ndanë kujtimet me regjisorin, ndërsa përcollën edhe mesazhe mirënjohje për trashëgiminë e jashtëzakonshme që ka lënë në kinematografinë shqiptare. 

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • ani: 02/09/2025 10:07

    bravo..e meriton keto nderime. truri kinematografise po vleresimet duhet te jepen sa jane gjalle dhe sot te nxirren ne cdo institucion te vendit kush jane njerezit qe vertet kane dhene kontribute dhe te vleresohen. vetem keshtu motivohen dhe brezat e rinj. TE KRIJOHEN MODELE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?