Dom Artur Jaku, rektori i Bazilikës Zoja e Këshillit të Mirë, e ka cilësuar ndarjen nga jeta të Papa Françeskut si humbjen e një zëri të fuqishëm për botën.
Në një intervistë për Report Tv, ai u shpreh se papa shenjtëroi Nënë Terezën dhe lumnoi martirët e kishës shqiptare.
‘Bota ka humbur një zë të fuqishëm sepse ai ka ngritur zërin ndaj atyre që s’kanë dhe shtypjeve të atyre që janë të varfër. Ai sa është zgjidhur papë ka qenë në krah të njerëzve që ishin në nevojë, bota e ka humbur këtë zë të fuqishëm. Edhe Shqipëria ka humbur një zë të fuqishëm, një mbrojtës dhe një mik sepse mbetet e paharrueshme vizita e tij në Shqipëri, sepse ka qenë e para në Europë që ai ka bërë, ato videot kur ai mbërrin në tokën shqiptare dhe fjala dhe mesazhi i tij kanë qenë të fuqishme.
Ai është papa që shenjtëroi Nënë Terezën dhe lumnoi martirët e kishës shqiptare. Ka pasur edhe video të rëndësishme për shqiptarët t’i inkurajuar për të ecur para. Ai ka qenë nga ta që ka qenë i dashur nga populli i thjeshtë, ai u vesh me uniformën e bariut dhe u zhvesh nga ajo uniforma e tij si intelektual. E gjitha bota e ka humbur këtë zë të fuqishëm’, tha ai.
Dom Artur Jaku, tha se arkivoli me trupin e Papa Françeskut do të vendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku besimtarët do të kenë mundësi t’i japin lamtumirën e fundit.
‘Arkivoli me trupin e tij do të vendosen në bazilikën e Shën Pjetrit, ku njerëzit mund ti japin edhe lamtumirën e fundit dhe se dimë se kur do të vendoset data e varrimit të tij. Po do të kemi edhe zgjedhjen e pasuesit të tij ku kardinalët do të vijnë nga e gjitha bota. Ata që janë nga 80- vjeç e poshtë kanë të drejtë që të zgjidhen si papë. Ne të shtunën kemi festën e zojës së këshillit të mirë dhe ne këtu kemi meshë dhe lutje dhe gjatë meshave që do të bëjmë do të kremtojmë meshën dhe për shpirtin e papës’, tha ai.
Komente
