Ndërgjegjësohen qytetarët, s’marrin antibiotikë pa recetë! Rekomandimet e mjekëve dhe farmacistëve në raste virozash: Konsumoni lëngje, shmangni kopshtet

25 Janar, 15:58| Përditesimi: 25 Janar, 16:18

  • Share

Pavarësisht shifrave të larta të virozave dhe gripit, shqiptarët duket se janë ndërgjegjësuar mbi dëmet e përdorimit pa kriter të antibiotikëve. Gjatë pandemisë së Covid 19, masivisht qytetarët i merrnin vetë antibiotikët, por situata ka ndryshuar.

“Nuk marrim antibiotik për gripin, marrim veç çajra bimorë të ndryshëme, me dafinë, me limonë e portokalle”, tha një qytetar.

“Jo nuk përdor asnjë pa ma dhënë mjeku, jam e rregullt ça më japin ata përdorë”, shtoi një tjetër

“Vetëm ça janë për të ulur temperaturën, paracetamoli, algofreni këto që përdoren  zakonisht për temperaturën 38-39”, tha më tej një tjetër.

Edhe farmacistët po tregohen më të kujdesshëm, duke mos dhënë antibiotikë pa recetë, me përjashtim të rasteve kur pacienti ka miqësi të fortë me ta.  

Gazetarja: A keni antibiotik Zimak ose Unicef?

Farmacistja 1: Më duhet një recetë për këto.

Gazetarja: Po nëse i them motrës t’më çoj foton që i’a ka nisur mjeku, mund ta marr kështu:

Farmacistja: Po le ta çojë, por duhet të jetë e saktë receta të duket data...

Gazetarja: Ajo ka vetëm kutinë, tabletin se e ka marrë edhe njëherë tjetër.

Farmacistja: Jo jo, nuk funksionon duhet një recetë.

Farmacistja 2: Asnjë antibiotik nuk jepet pa recetë, duhet ta kem unë recetën të ta jap, vetëm ndonjë që e ke shumë të njohur ta jep. Ta bënë atë nderë, kupton.

Për bluzat e bardha qytetarët janë më të ndërgjegjësuar, edhe pse nuk mungojnë rastet kur antibiotikët merren pa përshkrimin e mjekut.

“Pavarësisht se unë mund të them se prindërit kanë një lloj ndërgjegjësimi dhe kanë një lloj kuptimi totalisht tjetër. E para e të ardhurit tek ne, pra vijnë e pyesin, na tregojnë për gjendjen e fëmijës, nuk është se tentojnë ta nisin vetë antibiotiku . Pavarësisht se siç e thashë edhe më lart që ka edhe nga ata që tentojnë ta fillojnë vetë”, tha Sonila Brati mjeke pediatre.

Por çfarë rekomandojnë mjekët kryesisht për moshat pediatrike?

“Konsumimi i lëngjeve, ushqimi, dhënia e multivitaminave në këtë periudhë është shumë e rëndësishme. Por ajo që do theksoja, e para evitimi i kopshteve dhe çerdheve në momentin që fëmija ka temperaturë, dhe në momentin që fëmija paraqet simptoma që mund të jetë kolla, rrufa, dhe fillimi i temperaturës”, shtoi Brati.

Ndër vite Organizata Botërore e shëndetësisë ka ngritur shqetësimin se antibiotikët përdoren si karamele, duke bërë që trupi të krijojë rezistencë ndaj tyre.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?